Qytetarët në veri thonë se nuk do ta bojkotojnë votimin me 21 prill

  • S.A /
  • 12 April 2024 - 07:54
Qytetarët në veri thonë se nuk do ta bojkotojnë votimin me 21 prill

Pavarësisht bojkotit që do t’i bëjë Lista serbe, qytetarët pritet t’i përgjigjen votimit të 21 prillit për shkarkimin e kryetarëve aktualë të komunave në veri të Kosovës.Shtetet e QUINT-it kanë shprehur keqardhje për thirrjet e Listës Serbe që procesi i votimit për shkarkimin e kryetarëve në veri të bojkotohet, e nga shoqëria civile bojkoti nga votimi është quajtur i pavend, transmeton "Kosova Sot Online ".

Thirrja e Listës Serbe nuk e ka zbehur dëshirën e qytetarëve për ta shfrytëzuar të drejtën e votës më 21 prill për shkarkimin e kryetarëve aktualë në komunat e pjesës veriore.

“Duhet të jesh budalla ta bojkotosh këtë votim. Ky është mendimi im, kam dëgjuar që Lista Serbe diçka po përzien, unë nuk jam dakord me qëndrimet e tyre. Unë do të dalë të votoj”, tha për RTK një qytetar.

“Bashkësia evropiane është përgjegjëse, duhet të flas me Prishtinën që procesi të jetë demokratik, siç na takon, kjo është përgjigja ime”, tha tjetri qytetar.

Shtetet e QUINT-it kanë shprehur keqardhje për thirrjet e Listës Serbe që procesi i votimit për shkarkimin e kryetarëve në veri të bojkotohet.

“Na vjen keq për deklaratat e Listës Serbe dhe aktorëve të tjerë politikë serbë kosovarë që bëjnë thirrje për tërheqje nga pjesëmarrja në këtë votim për shkarkimin e kryetarëve. Pjesëmarrja demokratike është boshte për të siguruar që institucionet e zgjedhura të jenë përfaqësuese të qytetarëve që u shërbejnë. Votimi është një liri thelbësore e shoqërive demokratike”, thuhet në komunikatën e Shteteve të QUINT-it.

(Kosova Sot Online )