Arrestohet një nga administratorët e grupit “Albkings” që shpërndante fotografi e video intime të grave

  • S.A /
  • 17 April 2024 - 12:26
Arrestohet një nga administratorët e grupit “Albkings” që shpërndante fotografi e video intime të grave

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se është arrestuar një person që dyshohet se është një nga administratorët e grupit “Albkings”.

Sipas njoftimit, pas raportimeve në media Prokuroria ka iniciuar hetime për identifikimin e personave që kanë menaxhuar këtë llogari përmes të cilit është bërë shpërndarja e fotografive dhe videove të ndryshme intime të grave në aplikacionin Telegram, transmeton "Kosova Sot Online ".

“Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton opinionin publik se pas publikimit të informatave në media për aktivitetet e grupit “Albkings” në rrjetin social “Telegram”, sipas detyrës zyrtare, ka iniciuar hetime dhe në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës-Njësinë e Hetimeve të Krimeve Kibernetike ka ndërmarrë veprime hetimore në identifikimin e personave të cilët kanë menaxhuar këtë llogari dhe grupe të tjera që ndërlidhen me këtë grup, e përmes së cilit është bërë shpërndarja e fotografive dhe videove të ndryshme intime të femrave në aplikacionin e lartcekur, përfshirë edhe të dhënat personale të tyre për ofrimin e shërbimeve seksuale.”

Më pas, më 16 prill është arrestuar i dyshuari dhe Prokuroria thotë se do të vazhdojnë hetimet për identifikimin e personave tjerë të përfshirë në rast.

“Pas zbatimit të masave të fshehta teknike të hetimit dhe vëzhgimit, në orët e vona të dt.16.04.2024, është arrestuar fillimisht i dyshuari dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë njëri nga administratorët e grupit në fjalë, për shkak të veprës penale “Vjedhja e identitetit dhe kredencialeve”, sipas KPRK-së, derisa në koordinim me policinë do të vazhdojnë të ndërmerren veprimet tjera shtesë hetimore në identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rast.”

(Kosova Sot Online )