Osmani takon ambasadorë të shteteve anëtare të KiE

  • A.P /
  • 18 April 2024 - 20:30
Osmani takon ambasadorë të shteteve anëtare të KiE

Në vazhdën e takimeve lidhur me procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim ambasadorë e të ngarkuar me punë nga ambasadat e Suedisë, Austrisë, Holandës, Finlandës, Zvicrës, Luksemburgut dhe Belgjikës.

Presidenca thekson se përfaqësuesit e këtyre shteteve përgëzuan Presidenten Osmani për suksesin e Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ndërkaq Presidentja i falënderoi për mbështetjen e madhe në votimin në këtë Asamble.

“Më tej, Presidentja Osmani nënvizoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës si një hap vendimtar drejt rritjes së efektivitetit të mbrojtjes së të drejtave të të gjithë qytetarëve tanë pa dallim, duke u dhënë atyre qasje në mekanizmat për të drejta të njeriut që i ofron kjo organizatë.

Në takim u shkëmbyen mendime për rrjedhën e mëtejme të procesit të anëtarësimit të Kosovës në KiE, sikurse edhe sfidave dhe mundësive”, njofton presidenca.

(Kosova Sot Online)