Kurti: Për mua Ulqini ishte deti i fëmijërisë, deri kur jam bërë gati 30 vjeç, unë s’kam shkuar për pushime verore në ndonjë bregdet tjetër

  • E.K /
  • 19 April 2024 - 12:00
Kurti: Për mua Ulqini ishte deti i fëmijërisë, deri kur jam bërë gati 30 vjeç, unë s’kam shkuar për pushime verore në ndonjë bregdet tjetër

Kryeministri, Albin Kurti ka marrë pjesë mbrëmë në programin solemn “Dita e Ulqinit – Folkori i Ulqinit”, i organizuar nga Ambasada e Malit të Zi në Kosovë, përcjell “Kosova Sot Online”.

Kurti kujtoi rolin e jashtëzakonshëm që Ulqini ka luajtur për qytetarët e Kosovës gjatë periudhës së luftës, derisa tha se është më shumë se një qytet bregdetar, është shembull i rezistencës dhe vullnetit për të ruajtur identitetin dhe kulturën për mijëra vjet.

“Mirënjohja ime shkon përtej fjalëve drejt Malit të Zi për mikpritjen dhe ndihmën e jashtëzakonshme që iu ofrua shqiptarëve të Kosovës në momente të vështira historike”, ka deklaruar Kurti.

“Për mua Ulqini ishte deti i fëmijërisë dhe i rinisë, deri kur jam bërë gati 30 vjeç, unë s’kam shkuar për pushime verore në ndonjë bregdet tjetër. Nga Plazhi i Vogël te Plazhi i Madh, nga Galebi i Albatrosit te Otranti e Lidoja, nga Kalaja mahnitëse te Kriporja e deri te lumi Buna, e sidomos nga lagjja Gjerana kam kujtime aq të bukura për gjatë rritjes dhe formimit tim sa edhe të panumërta”, ka thënë Kurti.

(Kosova Sot Online)