Gjykata e Lartë do të dëgjojë të enjten pretendimet e Trumpit se gëzon imunitet presidencial

  • A P /
  • 23 April 2024 - 20:20
Gjykata e Lartë do të dëgjojë të enjten pretendimet e Trumpit se gëzon imunitet presidencial

Në një rast të pashembullt në historinë e Shteteve të Bashkuara avokatët që përfaqësojnë ish Presidentin Donald Trump do të përpiqen të enjten të bindin Gjykatën e Lartë se klienti i tyre ka imunitet nga ndjekja penale për akte që dyshohet se i ka kryer ndërsa ushtronte detyrën më të lartë shtetërore.

Vendimi i Gjykatës së Lartë do të ketë një rëndësi të jashtëzakonshme. Zoti Trump pritet të sigurojë emërimin e Partisë Republikane për zgjedhjet presidenciale të nëntorit. Ai po këmbëngul në pretendimet se gëzon imunitet presidencial lidhur me akuzat se kur ishte president, komplotoi për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020, të cilat i humbi.

Gjyqi lidhur me këto akuza është pezulluar në pritje të vendimit të Gjykatës së Lartë mbi pretendimet e zotit Trump për imunitet. Dhënia e shpejtë e vendimit mund t’i hapte udhë fillimit të gjyqit përpara zgjedhjeve presidenciale të nëntorit, ndërsa vonesa do të nënkuptonte se gjyqi mund të mos zhvillohej fare. Nëse zoti Trump do të fitonte në zgjedhjet e nëntorit dhe vendimi për çështjen nuk do të ishte dhënë deri në marrjen e detyrës nga ana e tij në janar, ekziston mundësia që ai të udhëzojë Departamentin e Drejtësisë që të pushojë akuzat.

(Kosova Sot Online)