Osmani: Anëtarësimi në Kombe të Bashkuara është i vështirë për shkak të Rusisë

  • A.P /
  • 24 April 2024 - 17:52
Osmani: Anëtarësimi në Kombe të Bashkuara është i vështirë për shkak të Rusisë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë, ka lënë të kuptohet se Kosova është e gatshme që të procedojë njëanshme në zbatimin e Marrëveshjeve të arritur në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, nëse do të dështojë parimi i implementimit të obligimeve nga të dy palët, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Megjithatë Osmani thotë se në momentin që do ta shohin se diçka e tillë po ndodh, atëherë Kosova duhet të ulet në tavolinë me partnerët, fillimisht me SHBA-në dhe pastaj me shtetet e BE-së që e kanë njohur Kosovën, për të diskutuar se çfarë merr Kosova në këmbim nëse zbaton të gjitha obligimet e marra në kuadër të procesit të dialogut.

Osmani këtu përmend NATO-në dhe ecjen e shpejt drejt anëtarësimit në Bashkim Evropian, si pjesë të marrëveshjes së Kosovës me partnerët, në veçanti me SHBA-në.

Presidentja thotë se sigurisht që anëtarësimi në Kombe të Bashkuara është i vështirë për shkak të Rusisë, por për institucionet e tjera thotë se janë në brenda suazave që mund të ndihmojnë partnerët që Kosova të ecë përpara, si NATO e KiE.

“Pra, ne duhet të shohim se çfarë mund të nxjerrim në qoftë se ne zbatojmë, por çfarë mund të nxjerrim nga partnerët tanë si lloj përkrahje për konsolidimin e fuqishëm në arenën ndërkombëtare të Republikës së Kosovës, si shtet i barabartë me të tjerët. Natyrisht Kombet e Bashkuara përderisa Rusia ka të drejtën e vetos, është vështirë. Por, çdo organizatë tjetër ku Rusia nuk ka veto, besoj që është brenda suazave të veprimeve që mund t’i bëjnë miqtë tanë dhe ta shtyjnë Kosovën përpara që të jemi edhe në NATO, edhe në Këshillin e Evropës edhe në organizata të tjera që na bëjnë edhe më të sigurt edhe më të zhvilluar”, ka thënë Osmani.

Ka qenë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i pari i cili ka hedhur në publik idenë që Kosova të procedojë nëjanshëm me implementimin e pikave të marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe Ohër.

(Kosova Sot Online)