Lajçak: Sot prezantova dokument kompromisi

  • A.P /
  • 25 April 2024 - 22:11
Lajçak: Sot prezantova dokument kompromisi

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka shkruar në platformën “X”, të enjten për takimin e përbashkët që sot e pati me kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë për dialogun, Besnik Bislimin dhe Petar Petkoviqin, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Lajçak ka thënë se ka folur me ta për “çështjen e dinarit”. Më pas tregoi se ka paraqitur një propozim kompromisi për të kapërcyer dallimet.

Rezultat nuk ka pasur, por Lajçak tha se do t’i presë sërish palët në takim.

“Isha nikoqir i një takimi të dialogut për rrugën përpara për “çështjen e dinarit”, i cili u dha hapësirë të mjaftueshme palëve për të shpjeguar qëndrimet e tyre. Përfundova duke paraqitur një dokument kompromisi në një përpjekje për të kapërcyer dallimet. Do të presë takimin e radhës pas marrjes së komenteve konstruktie”, ka shkruar Lajçak.

Përndryshe, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, pas takimit iu ka thënë gazetarëve se Serbia kishte kërkuar që t’i mundësohet financimi i strukturave paralale deri në themelimin e Asociacionit.

Por, Bislimi ka shtuar se as Lajçaku nuk e ka mirëkuptuar një propozim të tillë.

Takimi i radhës siç ka thënë Bislimi pritet të jetë në mes të muajit maj.

(Kosova Sot Online)