Lehtësimi për konvertim të patentë shoferëve, Hovenier: Ne mbështesim përpjekjet që mundësojnë integrimin e mëtejshëm

  • E.K /
  • 08 May 2024 - 15:03
Lehtësimi për konvertim të patentë shoferëve, Hovenier: Ne mbështesim përpjekjet që mundësojnë integrimin e mëtejshëm

Ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Jeff Hovenier, ka thënë se SHBA mirëpret vendimin e Qeverisë së Kosovës për të lehtësuar dhënien e patentë shoferëve kosovarët për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, përcjell “Kosova Sot Online”.

Hovenier ka thënë se SHBA përkrah përpjekjet që mundësojnë integrimin e mëtejshëm dhe avancimin e vizionit të përbashkët për një Kosovë gjithëpërfshirëse dhe multi-etnike.

“Shtetet e Bashkuara mirëpresin vendimin e qeverisë së Kosovës për të lehtësuar dhënien e patentë shoferëve kosovarë për të gjithë qytetarët e Kosovës. Ne mbështesim përpjekjet që mundësojnë integrimin e mëtejshëm dhe avancojnë vizionin tonë të përbashkët për një Kosovë gjithëpërfshirëse, multietnike”, ka shkruar Hovenier.

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që mundëson konvertimin e patentë shoferëve të lëshuar nga institucionet ilegale serbe në Kosovë në patentë shoferë të lëshuara nga institucionet e Republikës së Kosovës.

(Kosova Sot Online)