Holtgen: Kosova nuk është në rendin e ditës së Këshillit të Ministrave të KiE

  • A.P /
  • 08 May 2024 - 20:28
Holtgen: Kosova nuk është në rendin e ditës së Këshillit të Ministrave të KiE

"Çështja e Kosovës nuk është në agjendën e Këshillit të Ministrave javën e ardhshme dhe në këtë periudhë nuk mund të themi se kur mund të jetë”, i tha të mërkurën voa zëdhënësi i kësaj organizate Daniel Holtgen, por pa dhënë më shumë hollësi.

Këshilli mblidhet javën që vjen dhe pritej që të votonte për kërkesën e Kosovës, e cila muajin e kaluar mori dritën jeshile nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, duke nxitur besimin në Prishtinë për përmbushjen e këtij synimi dhe zemërimin në Beograd.

Çështja e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë duket se u bë “thembra e Akilit” në përpjekjet e Kosovës, sikundër është pika më e nxehtë e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve të saj me Serbinë.

Disa nga vendet perëndimore, përfshirë Francën dhe Gjermaninë, e shndërruan në kusht për votën e tyre hedhjen e hapave konkretë nga Kosova për themelimin e Asociacionit, në bazë të një projektstatuti të hartuar nga diplomatë perëndimorë që iu dorëzua palëve në tetor të vitit të kaluar. Por, kryeministri i Kosovës Albin Kurti e cilësoi “absurd” dhe të papranueshëm një kushtëzim të tillë.

(Kosova Sot Online)