Kurti na njofton me shqiptarin që ka takuar 7 presidentë amerikanë

  • A.P /
  • 10 May 2024 - 19:53
Kurti na njofton me shqiptarin që ka takuar 7 presidentë amerikanë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim Ekrem Bardhën, njërin nga biznesmenët shqiptarë më të suksesshëm në SHBA, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Kurti ka thënë se Bardha ka takuar shtatë presidentë të ShBA-ve, duke filluar me presidentin e 37-të, Richard Nixon, në vitin 1969.

“Deri pasluftës kam menduar që Ekrem Bardha është me prejardhje nga Kosova. Angazhimi dhe kontributi i tij në mërgatë për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës është shumë i madh. Javën e ardhshme ai bëhet 91 vjeçar, por nuk ndalet duke afirmuar e diskutuar për çështjen kombëtare”, ka shkruar Kurti, në një postim në Facebook.

“I arratisur nga Kolonja e Shqipërisë në vitin 1953, Ekrem Bardha arriti të bëhet një ndër biznesmenët më të suksesshëm shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe bashkëthemelues i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan”.

Kurti thotë se “Fillet e aktivitetit të tij politik e kanë një moment të posaçëm: njohjen me kongresistin e zonës së tij elektorale në Michigan, William S. Broomfield, që më pas shndërrohet në miqësi për tërë jetën. Gjatë veprimtarisë së tij, z. Bardha ka takuar shtatë presidentë të ShBA-ve, duke filluar me presidentin e 37-të, Richard Nixon, në vitin 1969”.

Kryeministri tha se me Ekrem Bardhën dhe vajzën e tij, Donikën kishte një bashkëbisedim frymëzues gjatë një takimi të përzemërt.


(Kosova Sot Online)