Paraqitja e Ramës në Athinë, Andoni: Ushqim për egon e tij, përmbajtësisht la për të dëshiruar

  • S.A /
  • 15 May 2024 - 12:01
Paraqitja e Ramës në Athinë, Andoni: Ushqim për egon e tij, përmbajtësisht la për të dëshiruar

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama të dielën mblodhi mijëra shqiptar në një stadium në Athinë, në një periudhë ku marrëdhëniet me Greqinë nuk i ka fort të mira. Për publicistin Ben Andoni, ai i përdori emigrantët si “ushqim për egon e tij”, dhe tubimi i realizuar mirë ishte “për t’i mbyllur gojën të gjithë kritikëve të vet”, ndonëse përmbajtësisht, sipas tij, “la për të dëshiruar”, transmeton "Kosova Sot Online ".

Andoni  tha  se tubimi ishte i organizuar mirë, ndonëse tha se nga Tirana udhëtoi edhe një masë e madhe njerëzish.

 

“Sa i përket formës jashtëzakonisht e konsideroj shumë të realizuar, ashtu si kryeministri shqiptar Rama organizon çdo gjë. Besoj që asnjë kryeministër shqiptar nuk ka pasur ndonjëherë konceptet estetike, si Rama, që t’i shtrijë në formë. Duke ‘shmangur’ vetëm një të dhënë, që nga Tirana udhëtoi një masë e madhe njerëzish, po mendoj se aktiviteti ishte i organizuar mjaft mirë. Prisja personalisht që të kishte edhe flamuj grekë në sallë, pasi Rama iu drejtua me shumë dashamirësi, jo pak herë dhe kolegut të tij grek, Micotaqis”, tha Andoni.

Sipas tij, ky aktivitet u karakterizua nga një qëllim dhe një mesazh.

“Ndërkohë, që si edhe në aktivitetet e tjera, duket se Rama e ushqeu sërish shumë egon e tij, duke pasur protagonistë qytetarët shqiptarë të Greqisë. Qëllimi zyrtar: një tur për të nderuar diasporën, ndërsa mesazhi: nderimi për komunitetin e shqiptarëve, që tashmë janë të integruar në Greqi dhe kanë kontribuar shumë në jetën e vendit, por edhe një deklarim, që shteti shqiptar është pranë tyre”, tha Andoni.

Për nga përmbajtja, paraqitja e Ramës në Athinë “la për të dëshiruar”, thotë Andoni.

“Në fakt nga ana e përmbajtjes la për të dëshiruar: paraqitja e tij jo pak nacionaliste dhe me elementë të gjetur, por pak kaotikë, vetëm sa e ciku problemin e hidhur me Çamët, nuk foli fare për Ligjin e Detit dhe me të drejtë kujtoi Ligjin e Luftës, që Greqia e mban paradoksalisht me Shqipërinë, ndërkohë që e hoqi me Italinë që e pushtoi!!! Ashtu si thashë pak më parë, nderimi për emigrantët më shumë u duk si ushqim për egon e tij dhe formacionit që drejton. Ndërsa forma shumë e gjallë dhe e arritur ishte për t’i mbyllur gojën të gjithë kritikëve të vet”, tha ai.

Nën masa drakoniane sigurie, Rama shkoi në vizitë në vendin fqinj të dielën. Kryeministri i Shqipërisë iu tha se janë “zotët e barabartë të kësaj shtëpie”, disa mijëra shqiptarëve që ishin mbledhur për ta pritur në Athinë. Kështu, Edi Rama i çoi “të fala” Greqisë. Ai e përmendi edhe çështjen e Çamërisë, ndërsa shqiptarëve iu tha të mos harrojnë se “me ligj dhe me zakon, Greqia është sot edhe e juaja po aq sa është e vetë grekëve”.

(Kosova Sot Online )