Gërvalla thotë se çështja e Draftit për Asociacionin është vetëm në fazën e “zotimit”

  • E.K /
  • 16 May 2024 - 14:02
Gërvalla thotë se çështja e Draftit për Asociacionin është vetëm në fazën e “zotimit”

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla Schwarz, ka folur për letrën e saj në të cilën si ministre e Jashtme zotohet në emër të Qeverisë së Kosovës se Kosova do të dorëzojë në fund të majit në Kushtetuese një Draft të Asociacionit të bazuar në Draftin e fondacionit FES, përcjell “Kosova Sot Online”.

Ndonëse në letrën e saj thekson se Qeveria e Kosovës është duke punuar në hartimin e Draftit, në konferencë për media ka thënë se kjo çështje është vetëm në fazën e zotimit.

“E kam shumë të rëndësishme ta theksoj edhe një herë. Ky do të ishte një Draft i cili do të përgatitej nga Qeveria, detajet do të mund ti ndanim me ju në atë moment që do të ishin relevante. Në këtë moment jemi ende në fazën e zotimit tonë për t’u angazhuar seriozisht në një proces e tillë, në këtë fazë jemi. Se çfarë mendon Vucici për një propozim të tillë, është gjëja e fundit që e kam menduar”, ka thënë kryediplomatja kosovare.

“Por ne presim që partnerët tonë ndërkombëtare ta vlerësojnë këtë angazhim dhe këtë zotim, dhe varësisht nga reagimi i palës tjetër, ne do të shohim se a do të jemi në gjendje që në fund të fundit ta draftojmë një Draft të tillë, edhe më pas ta paraqesim. Deri tani s’jemi në procese të avancuara, jemi tek zotimi me shpresën, duke lobuar normalisht, që zotimi të shihet si i sinqertë dhe të pranohet dhe të hapet dera për më në fund një zgjidhje, që s’bie ndesh me ligjet tona por ofron shance edhe për qytetarët e komunitetit serb”, ka shtuar tutje Gërvalla.

(Kosova Sot Online)