Jevtiq: Radikalizmi islamik në Kosovë, shqetësues

  • 08 February 2016 - 19:06
Jevtiq: Radikalizmi islamik në Kosovë, shqetësues

Ministri për Komunitete dhe Kthim Dalibor Jevtiq ia ka përcjellë sot ambasadorit të OSBE-së në Kosovë Jean-Claude Schlumberger shqetësimin mbi incidentet e fundit në komunitetet e kthyera në Kosovë, veçanërisht ato në Gorazhdec, Srbobran, Bërkovë të Istogut.

“Në qoftë se duam të ecim përpara për një të ardhme më të mirë dhe bashkëjetesë, ne kemi nevojë për t`i parandaluar incidentet, sepse kjo është e vetmja mënyrë për ta bërë Kosovën një vend të sigurt për të gjithë, pavarësisht nga çfarëdo përkatësie”, tha Jevtiq gjatë takimit.

Ky i fundit  gjithashtu ka shprehur shqetësim të madh në lidhje me paraqitjen siç tha ai të radikalizmit islamik në Kosovë dhe ka shtuar se  Kisha Ortodokse Serbe dhe të kthyerit tjanë të shqetësuar në lidhje me këtë çështje.

Sipas tij duhet që në çdo mënyrë të luftohet kundër përhapjes së ideve të tilla të rrezikshme për gjithë shoqërinë kosovare.

“Në veçanti, unë jam i shqetësuar në lidhje me incidentin në Bërkovë dhe arrestimin e një grupi që dyshohet të jenë të lidhur me radikalizmin islamik”, tha Jevtiq.

Nga ana e tij, ambasadori Schlumberger ka vlerësuar angazhimin e ministrit Jevtiq rreth kthimit të të zhvendosurve dhe tha se Misioni i OSBE-së do të vazhdojë të mbështesë këtë proces në kuadër të mandatit të tij, raportojnë mediat serbe, përcjellë Klan Kosova.

Ai gjithashtu konfirmoi shqetësimin e ministrit Jevtiq me rastin e shfaqjes së idesë së radikalizmit islamik në Kosovë dhe theksoi se është e nevojshme që institucionet relevante në kapacitetin e tyre  maksimal  të ndalin rrugën e përhapjes së këtij fenomeni, sepse, siç tha ai, “ne jemi dëshmitarë të së keqës që radikalizmi  islamik bartë në gjithë botën” .

(Kosova Sot)