Fluturimi i zogjve: Zbulohet misteri i formacionit V

  • 22 June 2017 - 09:15
Fluturimi i zogjve: Zbulohet misteri i formacionit V

Misteri se pse kaq shumë zogj fluturojnë në formacionin V, mund të jetë zgjidhur, thonë shkencëtarët. Ekspertët nga Britania e Madhe pajisën disa tufa zogjsh të rrallë, të cilët po stërviteshin për emigrim me pajisje të gjurmimit të vendndodhjes.

Kjo zbuloi se zogjtë fluturonin në pozicion optimal – duke fituar lartësi nga zogu në ballë dhe duke qëndruar pranë majës së krahut të tij. Studimi i publikuar në revistën “Nature”, zbuloi gjithashtu se zogjtë koordinonin rrahjet e tyre të krahëve.

Një eksperiment më i hershëm me pelikanë ishte i pari që zbuloi të dhëna mbi faktin se formacioni V mund t’u shërbente zogjve për kursimin e energjisë. Ai zbuloi se ritmi i rrahjes së zemrës së zogjve pakësohej kur ata fluturonin bashkërisht në formacionin V.

Por ky studim i fundit gjurmoi dhe monitoroi fluturimin e çdo zogu në tufë, – duke regjistruar pozicionin, shpejtësinë, drejtimin, si dhe çdo rrahje krahësh.

Kjo u bë e mundur nga një projekt unik konservimi i zbatuar në Austri, ku qenë mbarështuar një tufë zogjsh të species Geronticus Eremita, të cilët ishin stërvitur të migronin përmes një loje me drita.

Qëllimi i këtij projekti të pazakontë ishte rikthimi i kësaj specieje në kontinentin europian; zogjtë qenë shfarosur nga gjuetia, kështu që skuadra po i ritrajnonte zogjtë për të udhëtuar në shtegun e migrimit që sakaq është humbur.

Duke i pajisur këta zogj me një mjet që transmeton të dhëna, këto specie në rrezik të madh zhdukjeje treguan se zogjtë shpesh ndryshonin pozicion dhe alternonin kohën e rrahjes së krahëve për të përfituar avantazh aerodinamik.

Udhëheqësi i kërkimit, dr. Steven Portugal, shpjegoi: “Ata duket se janë shumë të vetëdijshëm, për faktin se ku gjenden zogjtë e tjerë në tufë dhe e vendosin veten në pozicionin më të mirë të mundshëm.

Kjo bëhet duke shfrytëzuar ajrin shtytës për lart, të gjeneruar nga zogu në ballë. Kjo e ashtuquajtura “shtytje për lart” krijohet ndërsa zogjtë fluturojnë përpara; pavarësisht nëse po rrëshqasin apo po rrahin krahët, pozicioni shtyn ajrin poshtë krahëve të zogut.

“Shtytja për poshtë” është e keqe, shpjegoi dr. Portugal. “Zogjtë nuk duan të jenë në pikën kur zogu para tyre po rreh krahët për poshtë, sepse kjo gjë i shtyn edhe ato për poshtë.

Por ndërsa ajri ngjishet përreth pjesës së jashtme të krahëve, ai krijon një shtytje për lart në majat e krahëve.

“Kjo skemë jep një farë udhëtimi falas për zogun e radhës në formacion”, thotë dr. Portugal. “Kështu zogjtë e tjerë duan të vendosen pikërisht pranë majës së krahëve të zogut që gjendet para tyre për të përfituar.”

Zbulimi tjetër me të vërtetë surprizues, thanë shkencëtarët, ishte që zogjtë e koordinonin rrahjen e krahëve në perfeksion për të përfituar maksimalisht nga ajri i lëvizur nga zogu përpara.”

“Çdo zog mbante krahun e tij në lëvizjen sipër në ciklin e rrahjeve”, shpjegoi dr. Portigal.

Fenomen natyror

Njësoj si zogjtë që kursejnë energji duke fituar lartësi nga flukset e ajrit të lëvizur nga zogjtë e tjerë, edhe shumë kompani që po zhvillojnë avionë apo helikopterë pa pilotë po shikojnë mundësinë e kopjimit të formacionit V, që kursen energji.

“Zbulimi i më shumë të dhënave për këtë mekanizëm, në një farë mase mund të ndihmojë kompanitë të kuptojnë se si të mund ta kopjojnë atë në formacionet e tyre të mjeteve të fluturimit për të kursyer energji”, thotë dr. Portugal.

Por për shkencëtarët, kjo njohuri mbi një fenomen mbresëlënës natyror është shumë interesant.

“Formacionet V janë kaq të bukur”, thotë Adrian Thomas, profesor i biomekanikës në Universitetin e Oksfordit.

“Ne i shohim ato gjatë të gjithë kohës dhe me të vërtetë duam të kuptojmë dhe të shpjegojmë se çfarë ndodh dhe kjo skuadër kërkuesish ka bërë shumë hapa përpara në këtë drejtim.”

Dr. Portugal shtoi: “Ajo që këta zogj janë në gjendje të bëjnë është e mrekullueshme. Ata janë në gjendje të ndiejnë se çfarë po ndodh me zogun para tyre, ku ka ajër të mirë dhe nga po vjen ky ajër dhe të pozicionojnë veten në mënyrë perfekte. Nga pikëpamja e faktit se si e ndiejnë këtë gjë, është me të vërtetë diçka e pabesueshme.”

Rrahja e krahëve

Si kursejnë energji pelikanët në fluturim

Ndërsa krahët e zogut lëvizin në ajër, ata qëndrojnë në një kënd të lehtë, gjë që shmang ajrin që bën presion për poshtë.

Kjo shmangie nënkupton që ajri rrjedh më shpejt mbi krahë sesa poshtë tyre, duke bërë që të krijohet një presion ajri poshtë krahëve, ndërsa presioni sipër reduktohet. Kjo bën një dallim në madh në presionin që prodhon ngritjen.

Rrahja e krahëve krijon një forcë shtesë përpara dhe lart, e njohur si shtytje, e cila kundërvepron me peshën dhe me “pengesën” që krijohet nga rezistenca e ajrit.

Goditja për poshtë e rrahjes së krahut prodhon shumicën e shtytjes. Gjatë kësaj, këndi i krahut është edhe më i madh.

Ju mund ta imagjinoni këtë goditje si një zhytje shumë të shkurtër për poshtë përmes ajrit – ai momentalisht përdor peshën e vetë zogut në mënyrë që të lëvizë përpara. Por, për shkak se krahët vijojnë të gjenerojnë ngritje, krijesa mbetet në ajër.

Në çdo lëvizje për lart, krahu është lehtësisht i përkulur nga brenda që të reduktohet rezistenca.

 (Kosova Sot)