Rezoluta për lirimin e Nehat Thaçit, lutje "zotave" apo tallje me drejtorin e Policisë!

Rezoluta për lirimin e Nehat Thaçit, lutje
  • 14 October 2016 - 07:45

SHKRUAN: FLORIM ZEQA

U desh të kalojnë plot 2 javë të plota nga arrestimi i drejtorit të Policisë së Kosovës në Mitrovicë, Nehat Thaçi nga policia kufitare e Serbisë (më 28 shtator 2016), për të "prekur" ndërgjegjen e deputetëve dhe institucioneve të më të larta të vendit. Seanca e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e mbajtur ekskluzivisht për arrestimin e drejtorit të Policisë së Kosovës në Mitrovicë, Nehat Thaçi, nxori në shesh joseriozitetin e institucioneve tona për lirimin e tij. Këtë e vërteton më së miri teksti i "Rezolutës", i cili për më pak si tentativë serioze për lirimin e zotit Nehat Thaçi, u ngjet njerëzve të mjerë e të pafuqishëm për të shpëtuar dikë nga e keqja, të cilët i luten Zotit për t'i ndihmuar nga situata e mjerë dhe e pashpresë. Rezoluta e dy partive në pushtet PDKLDK dhe grupi 6 plus, është një lutje sa e thjeshtë, po aq e mjerë që i drejtohet Beogradit zyrtar dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare,....pa përfshirë ndonjë masë shtesë për detyrimin e Serbisë për lirimin e drejtorit të Policisë së Kosovës në Mitrovicë, Nehat Thaçi.

Ku mbetën deputetët "trima" të LDK-së?

të LDK-së? Mospërfshirja në tekstin e Rezolutës e pezullimit të dialogut deri në lirimin e Nehat Thaçit, dhe masave të tjera të kushtëzimit me reciprocitetit në të gjitha fushat, jo vetëm që nuk do ta ndihmojë lirimin e tij, por do ta trimërojë edhe më tepër Serbinë për vazhdimin e arrestimeve të reja të qytetarëve dhe zyrtarëve të tjerë nga Kosova. Përveçse nuk u pranua varianti opozitar i Rezolutës, u injoruan të gjitha pikat e saj, e në veçanti nga deputetët e pozitës u mbrojt dialogu me Serbinë në Bruksel! Më habiti fakti i disa prej deputetëve dhe deputeteve "trima" të LDK-së, pse aq fort iu frikësuan pezullimit të dialogut, që e krahasonin me "fundin e botës",...ku për ta, ndërprerja e dialogut me Beogradin nënkuptohej si mbyllje e të gjitha dyerve për negocimin e lirimit të drejtorit të Policisë së Kosovës në Mitrovicë, Nehat Thaçi! Kjo përveçse miopi politike, paraqet plogështi dhe nënshtrim të tërësishëm para Beogradit zyrtar, i cili përveçse përcakton agjendat e dialogut në Bruksel, siç po shihet qartë është duke dirigjuar edhe agjendat e politikëbërjes në Kosovë. Këtyre mjeranëve politikë, që i frikësohen ndërprerjes së dialogut të Brukselit, po ua rikujtoj, se pikërisht me ndërprerjen e këtij dialogu do të hapeshin shumë rrugë të tjera diplomatike, mundësi akoma më të fuqishme dhe frytdhënëse për lirimin e shpejtë të drejtorit të Policisë së Kosovës në Mitrovicë, Nehat Thaçi.

Nuk sakrifikojnë asgjë

Këtë që e them, dua ta ilustroj me shembullin e vendit në cilin jam me qëndrim të përkohshëm (Itali), ku përgjatë viteve të fundit i kanë pasur me dhjetëra raste të kidnapimit të njerëzve të tyre në vende të ndryshme të botës, në veçanti në vendet e Lindjes së Mesme. Shteti italian, asnjëherë nuk ka nxjerrë rezolutë në parlament, por i ka vënë në dispozicion të gjithë mekanizmat ndërmjetësues ndërkombëtarë dhe vendorë, përfshirë edhe shuma të mëdha parash, duke realizuar në afatet më të shkurtra kohore lirimin e tyre, madje edhe nga dora e grupeve më ekstremiste kriminale në botë. Se vërtet zoti Nehat Thaçi ka mbetur në mëshirën e Zotit dhe dorën e kidnapuesve serbë, e vërteton fakti që asnjë nga deputetët nuk iu përgjigjën ndihmës simbolike për familjen e drejtorit të Policisë së Kosovës në Mitrovicë, për dhënien e mëditjeve të tyre nga seancat e mbajtura për Nehat Thaçin. Nuk është se mëditjet e deputetëve do ta lironin Nehat Thaçin, por ky do të ishte një satisfaksion i madh moral për familjen e tij, e cila është duke jetuar nën ankth për fatin e më të dashurit të vet.

Kosova vazhdon të figurojë në Kushtetutën e Serbisë si pjesë e saj

Në këtë rast, ishte vetëm një deputet që shkoi tutje mëditjes, duke shprehur gatishmërinë për dhënien e pagës së plotë familjes së policit kosovar. Pavarësisht mbajtjes së premtimit të tij, mosgatishmëria institucionale për ta ndihmuar materialisht dhe moralisht familjen e Nehat Thaçit, e tregon krizën morale në të cilën kemi si shoqëri njerë- zore në Kosovë. Ne mërgimtarët, për vite të tëra e kemi ndarë 3 %-in nga pagat tona mujore për çlirimin nga Serbia, ndërsa deputetët me pagat e tyre të majme nuk qenë në gjendje të ndajnë nga një mëditje për bashkatdhetarin e tyre nën prangat e Serbisë. Shtrohet pyetja, çka mund të pritet nga këta deputet që nuk ishin ne gjendje të ndajnë një mëditje të vetme për familjen e ish ushtarit të UÇK-së, tani pjesëtar i Policisë së Kosovës i kidnapuar nga Serbia, kur dihet se deputetet e Parlamentit të Kosovës i kanë të hyrat me të madha në rajon. Ky është barometri më i qartë i katandisjes së vlerave njerëzore, siç janë; humaniteti, solidariteti dhe ndihma për njëri-tjetrin, që në të kaluarën jo shumë të largët ishin arma më e fuqishme e rezistencës sonë aktive për të mos u gjunjëzuar para represionit dhe varfërisë që na i kishte imponuar okupatori serb. Përderisa ju pushtetarë të vazhdoni përqafimet me Vuçiqin në dialogun e Brukselit dhe pasurimin në kurriz të këtij populli të varfër, jo vetëm që nuk do ta ndihmoni lirimin, ju do të rrezikoni edhe shumë qytetarë të tjerë, që të përjetojnë fatin e hidhur të Nehat Thaçit,...ngase fletë-arrestet e Serbisë ndaj qytetarëve të Kosovës do të mbeten në fuqi, për aq kohë sa do të figurojë Kosova në Kushtetutën e Serbisë si pjesë e saj.

(Kosova Sot)