Trump po e sheh se sa vështirë është të jesh president

Trump po e sheh se sa vështirë është të jesh president
  • 26 May 2017 - 13:12

Shkruan: Frida Ghitis

SFIDAT E POLITIKËS SË JASHTME AMERIKANE

Ekziston rreziku që, duke reaguar në Korenë Veriore dhe në Siri, situata të përkeqësohet edhe më shumë

Politika e Obamës rreth Sirisë ishte dështim i mjerë. Na mbetet vetëm të shpresojmë se Trump do të sjellë një përmirësim. Por, nuk ka garanci për një gjë të tillë

Ajo që nuk ka munguar deri më tani, gjatë kohës së shkurtër sa Trump është president, është drama. Por, deri më tani, të gjitha krizat e ndryshme deri në njëfarë mase, ishin të vetëshkaktuara. Papritmas, por jo pa parashikueshëm, ngjarjet botërore dhe liderët batakçinj kanë sjellë probleme reale, urgjente para dyerve të Zyrës Ovale. Tani Trump ballafaqohet me konfliktet më të komplikuara, të cilat kërkojnë një reagim. Sikur që ka zbuluar Trump në aspektin e brendshëm, është lehtë të bësh kritika, por është vështirë të qeverisësh. Dhe, në fushën e politikës së jashtme, asgjë nuk është më vështirë sesa Siria dhe Koreja Veriore. Çdo zgjidhje rrezikon që ta përkeqësojë problemin. Brenda një afati kohor prej 24 orësh, të dy këto vende e provokuan botën. Në Siri, një numër i madh civilësh, duke përfshirë edhe fëmijët, u vranë nga sulmet që duket se u kryen me armë kimike. Sipas të gjithë treguesve, kjo duket sikur vepër e presidentit Bashar al-Assad. Më pas, Koreja Veriore lansoi një raketë balistike kah Japonia, pak para takimit të rëndësishëm të Trump-it me presidentin kinez, Xi Jinping. Ne e kemi parë Trump-in në veprim, kur ballafaqohet me krizat politike të vetëshkaktuara. Tani do ta marrim vesh se si vepron ai në rastet e problemeve ndërkombëtare të dhunshme, të rrezikshme, potencialisht katastrofale.

Saga trumpiane

Ajo që nuk është e qartë, është se cili do të jetë hapi i tretë në këtë sagë Trumpiane. Ekziston rreziku që, duke bërë zhurmë rreth gabimeve të paraardhësve të tij, si dhe duke e paraqitur veten si një njeri i cili do të bëjë atë që është e nevojshme, Trump është duke e goditur veten dhe duke krijuar presion për të vepruar shpejt. Ai dhe administrata e tij vazhdimisht kanë fajë- suar administratën e Obamës për kaosin në Siri. Le ta themi qartë, mënyra sesi Obama e trajtoi krizën siriane, ishte e tmerrshme, gjë që e kam thënë edhe më parë. Por, duke e sulmuar ish presidentin, nuk arrihet asgjë. Obama mund të ketë marrë vendime të dobëta (këqija), por, sikur që Trump është duke zbuluar, nuk ekzistojnë opsione të lehta. Fundja, mund të kenë qenë deklaratat e bëra tash vonë nga administrata Trump, se SHBA-ja më nuk ka vërejtje rreth qëndrimit të Assadit në pushtet, po ashtu mund të kenë ndikuar që lideri sirian të merrte kurajë për ta bërë sulmin e fundit me armë kimike. Por, pa marrë parasysh se deri në ç'masë administrata e Obamës apo ajo e Trump-it ndikuan në vendimmarrjen e Assadit, pala fajtore është kryerësja e atij sulmi. Duke injektuar politikën vendore në këtë krizë, nuk është vetëm veprim i pahijshëm, por edhe ngre shqetësime se Trump do të lejojë politikat vendore që të ndikojnë në hapin e tij të ardhshëm. Gjatë një konference për shtyp bashkë me mbretin jordanez, Abdullah II, Trump deklaroi se, rreth Koresë Veriore dhe Sirisë, ai është duke u ballafaquar me probleme me të cilat do të duhej të merrej paraardhësi i tij, një pretendim të cilin ai e ka përmendur edhe rreth programit bërthamor të Koresë së Veriut.

Presioni për të vepruar është shumë i madh

Analizojeni deklaratën zyrtare të presidentit rreth sulmeve në Siri. Ajo përfshin akuzat kundër Obamës, duke e fajësuar atë për mos respektimin e vijës së vet të kuqe, në lidhje me përdorimin e armëve kimike. Më pas deklarata i quan sulmet e regjimit sirian i të "dënueshme", të cilat "nuk mund të injorohen dhe të tolerohen nga bota e civilizuar". Nëse këto sulme nuk mund të tolerohen, atëherë shtrohet pyetja çka është i gatshëm të bëjë Trump rreth tyre? Kur atij i është bërë kjo pyetje, ai është përgjigjur: "Do ta shihni"! Presioni për të vepruar është shumë i madh. kjo është e kuptueshme, duke ditur se lufta siriane është në vitin e saj të shtatë. Viktimat dhe kasaphana ka qenë e paimagjinueshme. Masakra e së martës ishte e tmerrshme. Është për t'u habitur që Trump vetëm tani ta ketë vërejtur natyrën e tmerrshme të këtij realiteti. Assad tanimë i ka përdorë armët kimike edhe shumë herë më parë. Por, pas këtij sulmi, Trump ka deklaruar: "Qëndrimi im ndaj Sirisë dhe Assadit ka ndryshuar shumë". Nuk është e qartë se çka ka, në fakt, ndërmend të bëjë Trump. Pasi që vazhdimisht ka kritikuar Obamën për dështim që të vepronte me vendosmëri dhe për mos imponimin e vijës së tij të kuqe, Trump tha se sulmet e fundit të regjimit sirian shkelën "shumë vija të kuqe". Trump duket se me të vërtetë u prek nga ajo që pa. "Kur dikush vret fëmijë të pafajshëm, bebe të vogla me gaz kimik, atëherë kjo ka ndikim të madh". 

Na mbetet që të shpresojmë se Trump ka plane më të mira

Edhe në lidhje me Korenë Veriore, administrata e Trump-it është duke dhënë të gjitha shenjat se është duke u përgatitur për të vepruar. Një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë deklaroi: "Koha tanimë ka kaluar dhe çdo opsion është në tavolinë". Edhe më parë të gjitha opsionet ishin në tavolinë, por kalimi i kohës sugjeron se mund të presim ndonjë reagim dramatik. Kjo përshtypje ishte nënvizuar nga sekretari i shtetit, Rex Tillerson, deklaroi se SHBA-ja tanimë mjaft ka folur rreth Koresë Veriore, duke shtuar se "nuk kemi tjetër koment". Thënë të vërtetën, përpjekjet e Uashingtonit për ta ndaluar programin bërthamor të Koresë Veriore, si dhe për ta parandaluar regjimin e Assadit nga masakrimi i popullit të vet, kanë qenë dështime të mëdha. Na mbetet që të shpresojmë se Trump ka plane më të mira. Por, rreziku që ekziston këtu është se presidenti është duke e futur veten në një qoshe dhe në një pozitë nga e cila, po nuk bëri veprime me forcë, mund të ketë pasoja politike në vend. Fundja, fajësimi i kundërshtarëve politikë dhe bërja e kërcënimeve të ashpra mund të jetë frytdhënëse gjatë kampanjës, por në skenën botërore, ato vetëm sa t'i ngushtojnë opsionet. Trump tani gjendet në një pozitë kur i duhet gjithsesi të veprojë. Pyetja me të cilën ballafaqohet ai, e me të cilën ishte ballafaquar edhe Obama -është çka të bëjë? Ekziston rreziku që, duke reaguar në Korenë Veriore dhe në Siri, situata mund të përkeqësohet edhe më shumë. Politika e Obamës rreth Sirisë ishte dështim i mjerë. Na mbetet vetëm të shpresojmë se Trump do të sjellë një përmirësim. Por, nuk ka garanci për një gjë të tillë. 

(Frida Ghitis është analiste e çështjeve ndërkombëtare dhe ish-korrespodente e CNN-it) 

(Kosova Sot)