Pse Rusia vazhdon që të qeshet me botën?

Pse Rusia vazhdon që të qeshet me botën?
  • 15 April 2018 - 11:01

KREMLINI BËN SHAKA ME FAJIN E VET

Rusia do të vazhdojë me teoritë e pakuptimta të konspiracionit, me ofendimet, kërcënimet dhe tentimet për humor pa shije

Shkruan: Keir Giles

Duke përdorur kanalet zyrtare dhe armatat e keqbërësve ('troll') të saj, për të shkaktuar vërshime të gjepurave, kundërakuzave, kërcënimeve dhe shungullimave, Rusia shpreson se, duke vështirësuar bisedat rreth ngjarjeve të jetës reale, mund t'i ikë përgjigjeve ndaj pyetjeve serioze në lidhje me veprimet e saj. Në rastin e vazhdimit të konfrontimit rreth rolit evident të shtetit rus në tentimin e vrasjes së Sergei dhe Yulia Skripal, Rusia po ashtu përdor humorin, sidomos në mediet sociale, respektivisht në postimet nga ambasadat ruse nëpër botë.

Gabimi i rusëve

Konferencat për shtyp, të mbajtur nga ambasadorët e Rusisë në Britani, Australi dhe gjetiu, të cilat kalojnë kufijtë e qesharakes, po ashtu mund të jenë tentime të gabueshme të Rusisë që të bëjë shaka me gabimet dhe fajin e vet. Kjo duket të jetë një mënyrë shtesë me anë të së cilës Rusia shpreson që ta largojë vëmendjen e botës nga shpjegimi i vetëm i besueshëm rreth asaj që ndodhi në Salisburi dhe, në veçanti, nga implikimet e kësaj ngjarjeje për vendet që nuk janë direkt të kyçura. Rusia ka gabuar rëndë në llogaritjet e saj në lidhje me reagimin e bashkë- sisë ndërkombëtare ndaj sulmit në Britani. Në vend që Britania të përfundojë e izoluar, vendet e tjera kuptuan se, nëse Rusia mund ta bëjë këtë në Britani, atëherë ajo mund ta bëjë këtë kudo. Kjo dmth se të gjithë janë në rrezik. Për këtë shkak, Rusia është duke tentuar me të gjitha forcat për të larguar, mashtruar dhe shkaktuar konfuzion në vëmendjen e publikut kudo në botë. Kjo qëndron edhe prapa natyrës bizare dhe të rëndomtë të disa prej digresioneve në fjalimet e zyrtarëve rusë, sikur të ambasadorit rus në OKB, ndaj referencave të "Lizës në botën e çudirave", se ai, sikur Mbretëresha e bardhë, është krenar të 'besojë në gjashtë gjërat e pamundura para mëngjesit'. 

Rat që duhet studiuar

Ofendimet, tentimet për humor dhe sugjerimet se kushdo, me përjashtim të Rusisë, e ka fajin, që të gjitha këto janë pjesë të taktikës së largimit të vëmendjes së publikut nga fakti që Rusia nuk ka asnjë argument për t'iu kundërvënë Britanisë dhe Perëndimit, të cilët bëjnë me gisht kah Moska. Ndonjëherë, taktikat e këtilla mund të kenë sukses, qoftë edhe vetëm duke shkaktuar konfuzion dhe shtyrje. Sugjerimet ruse mund të jenë aq të jashtëzakonshme dhe të pakuptueshme, sa që nevojitet një pauzë për t'i absorbuar ato dhe për ta kuptuar se këto perceptime të mbështjella të realitetit, janë duke u prezantuar në atë që do të duhej të ishte një diskutim serioz midis personave të rritur. Por, suksesi i vërtetë për Rusinë vjen në momentin kur dëgjuesi heq dorë mjaftueshëm nga pabesimi, sa për të filluar të mendojë se çdo gjë që ai/ajo di, në fakt është rrenë dhe se, ndoshta, Rusia ka të drejtë. Sugjerimet e Rusisë se vetë Britania mund ta ketë bërë sulmin, në qytetin e vet, paraqesin një rast që duhet studiuar. Përpjekja për të vrarë banorët e vendit tënd, për qëllime politike, është një shprehi e keqe nga e cila Britania ka hequr dorë disa qindra vite më parë. Për këtë shkak, ideja se Britania mund ta ketë fajin për një sulm të këtij lloji, është e tillë që mund të vijë vetëm nga Rusia, ku vrasjet për interes të shtetit, apo të elitës sunduese, janë praktika të rëndomta të politikës zyrtare. Por, fakti që një sugjerim i tillë tani nuk përsëritet vetëm nga keqbërësit rusë (si dhe nga ambasadorët dhe ministrat e saj), por edhe nga qytetarë të Britanisë, paraqet një të ardhur të konsiderueshme të dezinformimit rus. Sikur gjithmonë, zgjidhja qëndron te trajtimi i kapardisjeve ruse për atë që janë në fakt: një tentim të dëshpëruar për t'ia hedhur fajin dikujt tjetër, pasi që të bëhet e qartë, sikur në rastin e avionit të rrëzuar MH17, se Rusia ka bërë një gabim serioz dhe ka nxitur jo vetëm qortimin, por edhe neverinë e botës së civilizuar. Rusia do të vazhdojë me akuzat e saj, me teoritë e pakuptimta të konspiracionit, me ofendimet, kërcënimet dhe tentimet për humor pa shije. Por, për pjesën më të madhe të të rriturve me mend në pjesën tjetër të botës, do të mjaftojë një testim i shpejtë i realitetit, për të kuptuar rrenat e Moskës.

(Keir Giles është bashkëpunëtor i lartë për Programin për Rusi dhe Eurazi në "Chatham House")

(Kosova Sot)