Kosova po siguron aleat të sigurt dhe besnik për mbështetje të anëtarësimit në mekanizmat evropian

Kosova po siguron aleat të sigurt dhe besnik për mbështetje të anëtarësimit në mekanizmat evropian
Kosova po siguron aleat të sigurt dhe besnik për mbështetje të anëtarësimit në mekanizmat evropian

Arsim Aziri

  • 30 January 2023 - 07:51

Shkruan: ANALISTI - Arsim Aziri

Konsideroj se çështja e procesit të anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe më pas në BE, është proces i gjatë dhe sfidues për vendin tonë pavarësisht se vendi ynë ka do të ketë mbështetje më të theksuese në relacion me shtetet tjera. Sidoqoftë duhet të presim dhe besojmë në një qasje realiste të shkurtimit të procedurave karshi zhvillimeve gjeopolitike e strategjike. Kosova kohëve të fundit ka shënuar progres të theksuar sa i përket luftimit të krimit dhe korrupsionit dhe kjo do t’iu ndihmon proceseve integruese që ne si shoqëri aspirojmë, në mekanizmat e BE-së dhe si të barabartë edhe në mesin e shteteve Evropiane BE.

Lirisht mundë të themi se së fundi është duke u fuqizuar lobi i shteteve evropianë, për mbështetjen e Kosovës në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, një mekanizëm në të cilin ka aplikuar qeveria Kurti në majin e vitit të kaluar. Përfaqësuesi i Britanisë së Madhe, John Hovell, në seancën e Asamblesë Parlamentare të kësaj organizate ndërkombëtare, ka thënë se Kosova duhet të lejohet të ecë përpara me anëtarësimin në Këshillin e Evropës.

Këshilli i Evropës është organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit, me seli në Strasburg të Francës, ku anëtarësimi I Kosovës do të mundësonte edhe adresimin pa pengesë të çështjes së krimeve të luftës që po mbahet peng nga politika tash e dy dekada. Në një debat të mbajtur me iniciativën e Britanisë së Madhe në selinë e Këshillit të Evropës, Hovell kërkoi që çështja e anëtarësimit të Kosovës të ndahet nga progresi në dialogun e Kosovës me Serbinë, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian (BE).

“Kosova nuk duhet të mbahet peng në raport me progresin në dialogun e udhëhequr nga BE-ja. Duhet të tregojmë se Këshilli i Evropës është i ndarë nga Bashkimi Evropian dhe se ka vlerat dhe parimet e veta mbi bazën e të cilave sillen vendimet”, ka thënë Hovell në fjalën e tij. Gjatë seancës, edhe Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Kroacia janë deklaruar pro anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, ndërsa Serbia u bëri thirrje anëtarëve që ta refuzojnë kërkesën e Kosovës.

Kosova e ka dorëzuar kërkesën për anëtarësim në Këshillin e Evropës, në maj të vitit 2022. Serbia e kundërshton anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe në institucione dhe organizata të tjera ndërkombëtare dhe në mënyrë aktive është duke bërë fushatë për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës. Në këtë fushatë, Serbia ka aleate Rusinë, e cila u përjashtua nga Këshilli i Evropës në mars të vitit 2022, për shkak të pushtimit të Ukrainës. Pa Rusinë, dy të tretat e shteteve anëtare të asaj organizate e njohin pavarësinë e Kosovës.

Nëse merret parasysh se vendimet sillen me shumicën e votave të shteteve anëtare, mundësia që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës është reale prandaj pas kalimit të pragut të parë, anëtarësimit në Këshillin e Evropës, Kosova do të ketë një teren shumë të gjerë të fuqizimit të lotimit për ndihmë dhe mbështetje edhe në procesin final të aplikimit për anëtarësim në BE, në familjen e përbashkët evropiane.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".