Vendimi për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës ka natyrë të fortë të politikës së sigurisë në kontinentin evropian

Vendimi për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës ka natyrë të fortë të politikës së sigurisë në kontinentin evropian
Vendimi për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës ka natyrë të fortë të politikës së sigurisë në kontinentin evropian

Gjon Keka

  • 17 April 2024 - 07:36

Shkruan: ANALISTI - Gjon Keka

Dita e martë, dita e dytë e kësaj jave , është ditë e rëndësishme e që mund të bëhet ditë e madhe para anëtarësimit të plotë të Kosovës në Këshillin e Evropës më 16 maj 2024. Tani është momenti i duhur shteti i Kosovës për t'iu bashkuar kësaj organizate evropiane, dhe ky moment nuk duhet humbur në asnjë mënyrë, sepse anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do t'i kontribuonte demokracisë, sundimit të ligjit ,promovimit të kulturës dhe diversitetit si dhe një fitore për të drejtat e Njeriut. Bota demokratike dhe e lirive të njeriut me anëtarësimin e Kosovës do të merrte më shumë forcë dhe më shumë energji me ardhjen e anëtarësimeve të reja në këtë organizatë evropiane me rëndësi të jashtëzakonshme.

-Një Kosovë brenda Këshillit të Evropës do të thotë një Kosovë brenda ombrellës së mbrojtjes së të drejtave të Njeriut,mbrojtjes së parimeve demokratike të sundimit të ligjit etj.etj. Vlerë tjetër e këtij anëtarësimi do të ishte sepse këtu nis pastaj edhe treni i Kosovës Evropiane,pra ai i integrimeve euro-atlantike .Me një hap të tillë historik të pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, i hapet asaj si shtet dhe shoqëri perspektiva e qartë evropiane dhe kështu ky shtet i ri bëhet pjesë e demokracive funksionale, aleate e lirive dhe të drejtave të njeriut si dhe promovuese e tyre. Më saktësisht anëtarësimi i shtetit të Kosovës në Këshillin e Evropës është i lidhur me respektimin e parimit të shtetit të së drejtës dhe mbrojtjen e të drejtave të Njeriut.

Vendimi për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës ka gjithashtu një natyrë të fortë të politikës së sigurisë në kontinentin evropian dhe kjo shihet qartë veçanërisht në kontekstin e konfrontimit të tanishëm në mes të botës demokratike ,respektivisht demokracive perëndimore dhe Rusisë me vendet e tjera të bllokut lindor autokrat. Pra sikur shihet anëtarësimi i Kosovës i shërben jo vetëm forcimit të lirive dhe të drejtave të njeriut ,të shtetit të së drejtës ,por edhe sigurisë evropiane. Gjithashtu duhet nënvizuar këtë se edhe nëse Kosova anëtarësohet në Këshillin e Evropës nuk do të thotë se gjithçka ka përfunduar, kur dihet se Këshilli i Evropës ka një periudhë kur i provon shtetet që janë anëtarësuar se a po punojnë sipas parimeve ,traktateve dhe statutit të kësaj organizatave dhe a po i kryejnë detyrat e tyre demokratike,si shoqëri dhe shtet me përgjegjësi maksimale dhe në bazë të parimeve udhëheqëse të Këshillit të Evropës. Pra me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës do të thotë se shteti i Kosovës po hynë në një provim që duhet ta kalojë edhe pasi të jetë anëtarësuar,sepse Këshilli i Evropës është një „shkollë e demokracisë“ për të gjitha vendet që bëhen anëtare të reja dhe atyre që janë anëtare më të vjetra në këtë organizatë të rëndësishme evropiane.

Ndërkaq në anën tjetër Serbia me lojërat e saj dhe pengesat që tenton t'i hedh udhës së Kosovës drejtë anëtarësimit në Këshillin e Evropës janë të kota, sepse ajo sidomos tani kur Rusia nuk është brenda Këshillit të Evropës nuk mund ta pengojë Kosovën të anëtarësohet. Të gjitha lëvizjet e saj për ta penguar Kosovën do t'i kthehen Serbisë bumerang ,sepse e para sikur thash më parë Rusia nuk është më pjesë e Këshillit të Evropës ,e dyta Serbia është zotuar në marrëveshjen e Ohrit se nuk do ta pengojë Kosovën të anëtarësohet në organizatat ndërkombëtare dhe evropiane si dhe në proceset e integrimit euroatlantik.

Pra sikur shihet sado që Serbia tani luan me kartën e Asociacionit ,ajo këtë e ka vetëm sa për t'u arsyetuar para opinionit të saj publik ,sepse në këtë drejtim asgjë nuk mund të bëjë dhe as ta ndal trenin e Kosovës drejtë anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe në proceset tjera të integrimit euroatlantik. Megjithëkëtë e rëndësishme është që përfaqësuesit e Kosovës të qëndrojnë këto ditë sa më shumë në tavolinat e diplomacisë të vendeve evropiane ,pra të qëndrojnë tek motori i Këshillit të Evropës që të mos e humbin asnjë shans drejtë fitores historike të anëtarësimit të plotë të Kosovës. Kosova duhet , e meriton dhe është e natyrshme të jetë pjesë e Këshillit të Evropës, vetëm kështu ajo do të bëhet nxënëse e suksesshme e „shkollës së demokracisë“brenda Këshillit të Evropës.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".