A fshihet ilaçi i 'rinisë së përjetshme' në statujat e ishullit të pashkëve?

  • 28 July 2016 - 21:31
A fshihet ilaçi i 'rinisë së përjetshme' në statujat e ishullit të pashkëve?

Duket që dëshira e njerëzve për zgjatjen e periudhës së rinisë në jetë mund të realizohet, pasi, ilaçi natyral për rini mund të jetë zbuluar në dheun që gjendet në hijen e statujave të famshme, transmeton gazeta Kosova Sot. 

Kanë kaluar rreth 50 vjet që prej kur shkencëtarët për herë të parë kishin zbuluar ilaçin natyral, që fshihej në dheun e Ishullit të Pashkëve dhe tani ai po cilësohet si 'burim i rinisë'. Ilaçi - rapamycin - është një produkt bakterial, që gjendet në hijet e statujave të famshme të ishullit dhe është dëshmuar që ndikon në rritjen e jetëgjatësisë si dhe në përmirësimin e disa prej faktorëve, që janë të ndërlidhur me plakjen. Këto veti 'kundër plakjes' janë dëshmuar në një gamë të gjerë organizmash, duke filluar nga pemët deri te minjtë; qentë dhe madje edhe në njerëz, mirëpo hulumtuesit paralajmërojnë që përdorimi afatgjatë i ilaçit natyral mund të vijë me një çmim të lartë. Rapamycin e ka marrë emrin në bazë të Rapa Nui, emri polinezian për Ishullin e Pashkëve, që është i izoluar në Oqeanin Paqësor. Dheu, që përmban rapamycin për herë të parë është mbledhur në vitin 1964 nga ana e Georges Nógrády-t, mikrobiologut nga Universiteti i Montrealit.

Analizat e dheut 

Mirëpo, meqë ky nuk kishte qenë qëllimi i ekspeditës, komponenti në fjalë, apo më mirë thënë, vetitë e tij, nuk ishin zbuluar deri në vitin 1969 kur një grup shkencë- tarësh, që i kishin bërë analizat e dheut, kishin gjetur një imunosupresant që për cak ka proteinat e quajtura mTOR dhe mund ta ndalë procesin e ndarjes dhe shumëfishimit të qelizave të kancerit. Që prej atëherë, shkencëtarët kanë mësuar shumë informacione në lidhje me ilaçe, duke e kuptuar që ai mund të ndihmojë në luftimin e tumoreve dhe mund ta ndihmojë në pranimin e organeve nga ana e pacientëve që i nënshtrohen procesit të transplantimit. Në vitin 2009 ky produkt është përdorur për një eksperiment me minj, kur është vërtetuar që përdorimi i ilaçit ndikon në rritjen e jetëgjatësisë për 9 për qind te minjtë meshkuj dhe për plot 14 për qind te minjtë femra. 

Efektet anësore 

Studimi, në fakt, është kryer edhe në njerëz duke pasur efekte pozitive në disa aspekte të plakjes, përfshirë këtu edhe të mësuarit dhe funksionin kognitiv të njerëzve si dhe reagimin ndaj vaksinave të gripit. Studimi i njëjtë është duke u bërë edhe me qen dhe rezultatet e tanishme tregojnë që brenda vetëm disa javëve, qentë, të cilët janë pjesë e këtij studimi, kanë shënuar përmirësim në funksionimin e zemrës. Megjithatë, kjo gjë po tingëllon si shumë e mirë për të qenë e vërtetë, apo jo? Epo, ka dalë që përdorimi i ilaçit për një periudhë më afatgjate mund të mos jetë një gjë e mençur, pasi aftësia e tij për ta shtypur sistemin imun mund të bëjë që përdoruesi i ilaçit të jetë më i cenueshëm nga infeksionet e ndryshme. Si rrjedhojë, ata po punojnë në një sërë komponentësh, që nuk kanë ndikim negativ në sistemin imun.  

(Kosova Sot)