Çka duhet të dimë rreth shkrimit me kunja?

  • 29 July 2015 - 17:20
Çka duhet të dimë rreth shkrimit me kunja?

Shkrimi kuneiform mund të gjendet në shumë tabela të argjilës dhe gurit, që datojnë nga Mesopotamia e lashtë. Gjatë periudhës romake, shkrimi me kunja në tërësi u zëvendësua nga shkrimi alfabetik. Shkrimi sumer ishte përshtatur për të shkruar në shumë gjuhë antike, si p.sh. në gjuhët akadiane, eblaite, elamite, hitite, luviane, hatike, hurriane dhe urartiane.

Ku u paraqit?

Ky sistem shumë i vlefshëm i shkrimit për herë të parë u paraqit te sumerët e lashtë, në fund të mileniumit të katërt para erës së re. Kërkuesit shkencorë thonë se, deri më tani janë zbuluar më shumë se 2 milionë tabela me këtë lloj të shkrimit, ku rreth 30.000 – 100.000 prej tyre janë lexuar, apo publikuar.

Mbreti më i vjetër, i njohur, sumerian, emri i të cilit paraqitet në tabelat kuneiforme të asaj kohe, besohet të jetë Enmebaragesi nga vendi Kish.

Shkrimi kuneiform evoluoi përgjatë kohës, kështu që nga shekulli III para erës së re, drejtimi i shkrimit kuneiform kaloi nga e majta në të djathtë, te shkrimi në shtylla horizontale.

Sistem i shkrimit, e jo gjuhë

Shkrimi kuneiform është sistem i shkrimit, e jo një gjuhë e veçantë, meqë nuk paraqet një alfabet me shkronja. Në vend të shkronjave, njerëzit në antikë përdornin rreth 1000 simbole për të formuar fjalët, apo rrokjet. Besohet se për herë të parë ky lloj shkrimi u përdor rreth vitit 3400 para erës së re. Edhe pse më shumë se dhjetë gjuhë të lashta janë paraqitur me anë të kësaj forme të të shkruarit, ekzistojnë dy gjuhë kryesore që janë shkruar me anë të këtij shkrimi: akadiane (akade) dhe sumere. E tëra që të duhet për këtë formë të shkrimit, është një kallam dhe argjila, materiale të cilat gjendeshin me lehtësi në lumenjtë afër qyteteve të Mesopotamisë. Pjesa më e madhe e pllakave të shkruara me këtë shkrim mund të mbaheshin në dorë dhe përdoreshin për periudha të shkurtra kohore.

Shumë i vështirë për t’u kuptuar

Arkeologët dhe historianët të cilët ia kanë dalë që ta deshifrojnë këtë lloj të shkrimit, thonë se ky është njëri ndër sistemet më të vështira të shkrimit në botë, meqë, për ta kuptuar atë, duhet ditur disa gjuhë antike, të cilat tani janë zhdukur, si dhe duhet mbajtur mend me mijëra shenja të ndryshme. Ajo që është interesant, është fakti se fëmijët është parë se shumë më lehtë e mësojnë këtë formë të të shkruarit.

Kur flitet për numrat, sumerët e lashtë përdornin një sistem i cili bazohej te numrat 1, 10 dhe 50. Nëse doje ta shkruaje numrin 60, atëherë shkruaje shenjën për numrin 50 dhe shenjën për numrin 10 pas tij.

(Kosova Sot)