A është zbuluar përfundimisht jeta në Mars?

  • 04 August 2015 - 19:34
A është zbuluar përfundimisht jeta në Mars?

Janë të shumtë ata që thonë se “Curiosity” përfundimisht solli pamje të një krijese të gjallë në planetin e kuq

Roveri “Curiosity” i NASA-s ka sjellë edhe një fotografi të pabesueshme nga Marsi, e cila ka shkaktuar debate të shumta rreth asaj se a ka, apo nuk ka jetë në këtë planet të kuq. Shumë njerëz mendojnë se, përkundër faktit që kushtet në sipërfaqe të Marsit janë tejet të rënda për të qenë të përshtatshme për ndonjë formë të jetës, kjo nuk d.m.th. se nën sipërfaqen e këtij planeti nuk ka jetë. Për këtë shkak, kjo pamje e re që vjen nga ky planet, si dhe të gjitha fotografitë e tjera deri më tani, duke ofruar mundësi të interpretimit të shumëfishtë, ka ngjallur debate të nxehta në rrjetet sociale.

Çka shihet në foto

Në këtë fotografi, e cila për dikë mund të duket krejt e rëndomtë, marsiane, apo thënë ndryshe, e shkretë, për të tjerët në një segment të saj ajo paraqet diçka (një gjallesë) që është ngjitur për shkëmbinjsh. Nëse nuk mundeni që ta shihni gjallesën e supozuar, atëherë shikoni në qendër të fotografisë. Me këtë rast do të shihni diçka që gjithsesi dallon nga pjesa tjetër e fotografisë. Sikur që e dimë, në Mars ka gurë, ka gurë që mund të kenë pamje të çuditshme, por ka edhe objekte që duken sikur kjo gjallesa jonë e supozuar. Diçka që duket krejt jashtë kontekstit dhe që nuk ngjan me gurët përreth.

Një krijesë e çuditshme?

Objekti në fjalë duket të ketë dhjetë zgjatime të çuditshme, të cilat dalin nga një strukturë qendrore, me formë ovale. Nëse është gur, atëherë ai është guri më i çuditshëm që është parë ndonjëherë në Mars.

Për këtë shkak, nuk mund t’iu zihet për të madhe atyre që janë të bindur se, përfundimisht, edhe “Curiosity”, respektivisht NASA, konfirmon jetën në këtë planet.

Ka edhe të tillë që, përpos që janë të bindur se ajo strukturë, në fakt, është një gjallesë, thonë edhe se gjallesa e supozuar është njëfarë Kerberi, një krijesë që ruan hyrjen në një botë nëntokësore.

Ndoshta kjo ju duket e tepërt, gjë që edhe mund të jetë, por nëse e shikoni pamjen nga afër, atëherë nuk mund ta mohoni se, prapa gjallesës së supozuar, me zgjatimet e saj, gjendet diçka që me të vërtetë ngjan me një hyrje në ndonjë tunel, ndoshta?

Alienët, të rrezikshëm për ne?

Pa marrë parasysh a është ky objekt gur, apo diçka tjetër, ai ka zgjuar interesim të madh të njerëzve në lidhje me planetin Mars dhe me çdo gjë që është duke ndodhur në sipërfaqe të tij (që mund të jetë duke ndodhur).

Por, derisa ne shtyhemi duke insistuar “është” apo “nuk është” gjallesë, të mos harrojmë se shumë shkencëtarë në zë kanë tërhequr vërejtjen duke thënë se më mirë është që të rrimë rehat, e të mos i kërkojmë alienët, sepse ata mund të jenë aq të këqij, sa që më mirë është që të mos na gjejnë kurrë. 

(Kosova Sot)