A është ky 'buzëkuqi' më i vjetër në botë?

  • A.P /
  • 21 March 2024 - 14:01
A është ky 'buzëkuqi' më i vjetër në botë?

Arkeologët kanë zbuluar “buzëkuqin” më të vjetër në botë në Iranin juglindor.

Produkti i lashtë i bukurisë i gjetur së fundmi, me përmasa rreth 5 cm i gjatë, i ngjan një versioni cilindrik të buzëkuqit.

Shkencëtarët kanë bërë të ditur se cilindri besohet të jetë përdorur nga kultura Jiroft, një qytetërim i epokës së bronzit, shkruan New York Post.

 

“Është një zbulim i papritur. Aq më tepër sepse substanca përputhej në mënyrë të përkryer me formën e gurit që është aq afër buzëkuqëve të ditëve të sotme”, tha profesori i arkeologjisë në Universitetin e Padovës në Itali, Massimo Vidale.

Studiuesit e kanë vendosur buzëkuqin nën mikroskop, ku kanë vënë re pigmente të errëta të cilat nënkuptojnë se produkti origjinal ishte “ngjyrë e kuqe”.

Ata e vazhduan hetimin e tyre duke studiuar edhe përbërjen e tij që me sa duket ishte shumë i ngjashëm me produktet kozmetike të sotme.

Por, të pranishëm në të ishin edhe përbërës si hematiti, një mineral oksid hekuri emri i të cilit rrjedh nga fjala greke “gjak” për shkak të ngjyrës së tij të kuqe.

Edhe pse buzëkuqi duket se ka ekzistuar për të paktën 5,500 vjet, studiuesit u befasuan kur e gjetën atë në Iran, vend ky që dikur ndalonte grimin.

Irani ndaloi produktet kozmetike menjëherë pas Revolucionit Islamik të vitit 1979, por i lehtësoi kufizimet e tij duke lejuar të grimohen vetëm gratë që nuk punojnë në qeveri dhe studentet e mjekësisë.

Bëhet e ditur se gjetjet janë publikuar në Scientific Reports.


(Kosova Sot Online)