SHBA kampione e botës për femra

  • 06 July 2015 - 10:15
SHBA kampione e botës për femra

Në futbollin e femrave Shtetet e Bashkuara të Amerikës qëndrojnë më lart se gjithë të tjerët. Në Kanada kombëtarja e drejtuar nga trajnerja Jillian Ellis fitoi për herë të tretë në historinë e saj kampionatin Botëror të futbollit të femrave pasi shpartalloi në finale me rezultatin 5-2 Japoninë që përpara kësaj sfide ishte edhe kampionja në fuqi e Botës. Shtetet e Bashkuara të Amerikës në një fare mënyre u hakmorrën për atë humbje në finalen e 4 viteve më parë pas goditjes së penalltive ndaj kombëtares nipone. Me 3 Botërorë të fituar tashmë Amerika lë pas Gjermaninë me vetëm 2 tituj. Takimi i zhvilluar në BC Place Stadium në Vancouver në praninë 53 341 tifozëve nuk pati aspak histori pasi vajzat amerikane të frymëzuara edhe nga klasi i lojtares së tyre kryesore Carli Lloyd vendosën në kasafortë që në 16 minutat e para, transmeton supersport. Lloyd realizoi dy gola të shpejtë në minutat 3 dhe 5 ndërsa Holiday i coi shifrat pa u mbushur ende cerek ore lojë. Me një Japoni inekzistente në fushë Carli Lloyd nxorri nga repertori i saj në perlë teksa shënoi një supergol nga mesi i fushës në minutën e 16-të duke hipotekuar suksesin e amerikaneve. Finalizimi i Ogimit në të 27-tën dhe autogoli i Johntson në minutën e 52-të u duk sikur rikthyen shpresën te Japonia por Heath vetëm pak sekonda më vonë vulosi triumfin e Shtetetve të Bashkuara të Amerikës. Në fund festa ishte e gjitha për futbollistet amerikane dhe trajneren e tyre Jillian Ellis me këto të fundit që ngritën lart trofeun e skuadrës kampione.