Arsenali asnjë ndeshje të humbur në të cilat është paraqitur Shkodran Mustafi

  • 24 January 2017 - 22:11
Arsenali asnjë ndeshje të humbur në të cilat është paraqitur Shkodran Mustafi

Ekipi i Preimer Ligës së Anglisë, Arsenal, nuk ka humbur asnjë ndeshje në të cilën fanellën ka veshur Shkodran Mustafi të cilin ekipi londinez e transferoi para fillimit të stinorit.

Futbollisti shqiptar i kombëtares gjermane me prejardhje nga qyteti i Gostivarit në Maqedoni i cili u transferua te klubi londinez nga Valencia e Spanjës për 35 milionë sterlina, te Arsenali po përjeton ditët më të mira të karrierës së tij, ndërkohë që nuk ka çuar as huq pritshmëritë e drejtorit teknik francez të Arsenalit Arsene Wenger.

Arsenali nuk ka pësuar asnjë humbje kur Mustafi ka veshur fanellën me njëmbëdhjetëshin e parë në gjithsej 21 ndeshje, edhe atë 15 në Premier Ligë, një në Kupën e Federatës dhe pesë në UEFA Ligën e Kampionëve. Aktualisht, Arsenali ende është në garën për kampion në ligë, kurse gjendet tetë pikë prapa liderit në tabelë, Chelsea. Nga 15 ndeshje të ligës në të cilat është paraqitur 24-vjeçari, Arsenali ka fituar 11 prej tyre, ndërsa ka barazuar me Manchester United, Tottenham, Bournemouth dhe Middlesbrough.

Mustafi është njëri nga emrat të cilët tekniku francez i konsideron të pazëvendësueshëm për njëmbëdhjetëshen e parë. Në ndeshjet e grupit A në kuadër të Ligës së Kampionëve, Mustafi është paraqitur në pesë ndeshje kundër ekipeve Paris Saint-Germain (PSG), Ludogorets dhe Basel.

Shkodran Mustafi veshi fanellën në tri ndeshje kundër Ludogoretsit dhe Baselit të cilat rezultuan me fitore dhe në të cilat ekipi shënoi 11 dhe pranoi 2 gola. Ndërkaq londinezët barazuan me kundërshtarin francez PSG me rezultate 1-1 dhe 2-2.

Po ashtu, në raundin e tretë të ndeshjeve në kuadër të Kupës së Federatës, ku Mustafi pati rastin të veshë fanellën një herë, Arsenali vazhdoi rrugën në turne duke e mposhtur si mysafir ekipin Preston North End me rezultat 2-1.

Mustafi theu rekordin e Sagnas

Mustafi ka lënë pas rekordin prej 17 ndeshjeve pa humbje të Arsenalit në ndeshjet në të cilat gjatë stinorit të parë u paraqit Bacaray Sagna, i transferuar nga Auxerre në stinorin 2007-2008.

Futbollisti francez me ekipin londinez nuk kishte pësuar asnjë humbje në 17 ndeshjet e para, edhe atë 12 në Premier Ligë, dhe të tjerat në fazën eliminatore dhe të grupeve në kuadër të UEFA Ligës së Kampionëve. Arsenali, i cili në maratonën e ligës kishte shënuar nëntë fitore dhe tre barazime, në “Ligën e Gjigantëve” mposhti Sparta Pragën me rezultat 2-0, Sevillan me rezultat 3-0, Steaua Bukureshtin me rezultat 1-0 dhe Slavia Pragën me rezultat 7-0, pa pranuar asnjë gol.

Seria pa humbje në ndeshjet në të cilat fanellën veshi Sagna, përfundoi kur Arsenali u mposht si mysafir nga Sevilla me rezultat 3-1.

(Kosova Sot)