Kupa e Republikës në rrezik

  • 24 May 2017 - 09:34
Kupa e Republikës në rrezik

Besa e Llapi ndeshen në finale, derisa shumëçka flitet për këtë ndeshje

Imazhi i finales së Kupës së shtetit shumë seriozisht po rrezikon të prishet, madje sipas njohësit të futbollit ai tashmë veçse ka nisur të zbehet. Akuzat e drejtuesit të tifogrupit të Prishtinës, "Plisave", Albert Kastrati, se ndeshja finale që zhvillohet në 3 qershor ndërmjet Besës e Llapit, është e trukuar, maksimalisht e ka zbehur imazhin e kësaj ndeshje. Edhe pse këto dyshime u takojnë tash për tash vetëm fjalëve të rrugëve, gjithsesi se ato ndikojnë në opinion, pasi vijnë nga grupi i tifozëve më të organizuar në vend, siç janë "Plisat". Dy taborët, ai i Besës dhe Llapit, pavarësisht kësaj, qëndrojnë të qeta, por e pranojnë se kur dëgjojnë kësi muhabeti për ndeshjen finale, të cilën po e presin me shumë emocione ndikon në atmosferën e ekipit.

Kasapi: Fjalë rrugësh, asgjë më shumë

Njëri nga futbollistët më me përvojë në Kosovë, aktualisht kapiten i Besës së Pejës, Fetim Kasapi, skuadra e të cilit do të ndeshet në finale me Llapin, është ndier i befasuar kur në opinion ka parë se si po dyshohet në korrektësinë e finales. Ai ka thënë se ky vend duhet të ketë rregulla dhe kur dikush bën akuza të tilla duhet të japë edhe fakte. "Unë nuk po mundem të kuptoj se si kaq lehtë dikush akuzon dikë dhe merrem me klube të tjera duke folur gjithçka dhe pa asnjë fakt. Ku ka finale të kurdisur si mund dikush të flasë kështu. Finalja është ëndërr për çdo klub, si mund të kurdiset ajo. Vërtet nuk e kuptoj se si tek ne flasin njerëzit kështu dhe nuk japin kurrfarë përgjegjësie", ka thënë Kasapi, duke i bërë disa pyetje kryetarit të tifozëve "Plisat". "Çfarë do të thotë ai pasi ne ta mposhtim Llapin në finale? Çfarë duhet t'i themi ne atij pastaj? Dhe kush duhet të marrë përgjegjësinë që ia ka humbur imazhin kësaj finale?" Ka thënë shumë i dëshpëruar Kasapi.

Nuk ka presion

Shumë njerëz deklaratën e "Tigrit" të Prishtinës e morën edhe si një lloj presioni para ndeshjes për t'i eliminuar gjitha mundësitë e kalkulimeve, por ka edhe të atillë që këto deklarata janë të arsyeshme, kur dihet se vetëm një muaj më parë futbolli ynë përjetoi njërën nga skandalet më të mëdha, ku shihen trajnerë e gjyqtarë duke biseduar për manipulime të ndeshjeve. "Unë nuk besoj se ato deklarata do të bëjnë presion në ekipin tonë, pasi kemi lojtarë me përvojë që nuk ndikohen lehtë. Por gjithsesi e pranoj se imazhi i finales qysh tash ka nisur të zbehet. Është e natyrshme të zbehet kur 2 javë para saj flitet se është e kurdisur", ka thënë mesfushori pejan. "Unë ju garantoj se asgjë të vërtetë këtu nuk ka dhe këto janë vetëm fjalë. Finalja është finale dhe çdo lojtar dëshiron ta shijojë, pasi e gjithë vëmendja e sportdashësve atë ditë do të jetë e fokusuar në atë lojë. Besës nuk i interesojnë interesant e askujt do të luajë për të fituar dhe asgjë tjetër", ka përfunduar Fetim Kasapi.