Hamilton reagon ndaj Vettelit: Nëse do të tregohet burrë, mund ta bëjmë jashtë makinave ballë për ballë

  • 26 June 2017 - 12:34
Hamilton reagon ndaj Vettelit: Nëse do të tregohet burrë, mund ta bëjmë jashtë makinave ballë për ballë

Lewis Hamilton e ka quajtur Sebastian Vettelin një “turp” pasi piloti i Ferrarit e goditi rivalin e tij për titull në garën kaotike për Çmimin e madh të Azerbajxhanit.

Në garën e të dielës është dashur që të hynte katër herë vetura e sigurisë dhe të ngrihej flamuri i kuq për shkak të kaosit në pistë.

Garën e fitoi piloti i Red Bullit, Daniel Ricciardo, ndërsa piloti i Mercedesit, Valtteri Bottas, ia doli që nga fundi ta zinte vendin e dytë. 18-vjeçari Lance Stroll befasoi për ta zënë vendin e tretë.

Mirëpo, për dramën u kujdes Vettel, i cili pati një fërkim me Hamiltonin.

“Është një turp për të që iu afrua aq shumë një piloti tjetër. Mendoj se ai e turpëroi veten. Nëse ai dëshiron të dëshmojë se është burrë, këtë mund ta bëjmë jashtë makinave, ballë për ballë”.

“Ajo që ndodhi është mungesë respekti. Ka fëmijë që po na shikojnë në televizor. Një kampion i shumëfishtë i botës duhet të sillet më mirë”, ka deklaruar Hamilton.

(Kosova Sot)