< Rrezikojnë BARDHEKALTRIT - Sport - Kosova Sot
Rrezikojnė BARDHEKALTRIT

Rrezikojnė BARDHEKALTRIT

Kampionia e Kosovës në basketboll, Sigal Prishtina ka humbur dy raste të njëpasnjëshme për t'u kualifikuar në rrethin e ardhshëm të FIBA Europe Cup, dhe tashmë kualifikimi tutje është në rrezik. Prishtinasit e filluan në mënyrë të shkëlqyer, duke shënuar tri fitore në tri ndeshjet e para, por më pas pësuan nga Demir-i në Turqi dhe nga Belfius Mons në kryeqytet. Në takimin e fundit në grupe e presin skuadrën turke, ku në përballjen e parë pësuan humbje me rezultat 86:59, dhe nëse kjo skuadër fiton në Belgjikë, atëherë bardhekaltrit duhet të shënojnë fitore me 28 pikë dallim. Të gjitha këto nuk do të vlenin sikur Prishtina të shënonte fitore ndaj Mons, por kjo e fundit fitoi me rezultat 75:69.

Tashmë shumë më vështirë

Përkundër atmosferës së jashtëzakonshme, prishtinasit nuk arritën të triumfojnë ndaj skuadrës belge. Trajneri i Prishtinës, Ahmet Kandemir, është shprehur se tani do të jetë shumë e vështirë."Kemi luajtur mirë në fillim dhe ka qenë një ndeshje e mirë, por për të fituar duhet 40 minuta për të luftuar dhe fatkeqësisht këtë nuk e kemi bërë ne. Nëse humbet edhe gjuajtjet e lira, atëherë është shumë e vështirë për të fituar. Kemi nisur mirë ndeshjen dhe e kemi kontrolluar lojën në pjesën e parë, kurse në atë të dytë është ndier lodhja e Dardanit dhe Lawrence. Gjithashtu nuk kemi qenë të mirë në kërcime, si në sulm, ashtu edhe në mbrojtje. Tashmë gjithçka do të jetë më e vështirë, megjithatë do të provojmë të gjitha gjasat tona", ka thënë Ahmet Kandemir. Për të fituar në Prishtinë nuk ishte aspak lehtë për skuadrën belge. Kështu tha trajneri i skuadrës mysafire, Daniel Goethals. "Nuk ka qenë aspak lehtë. Prishtina kishte edhe përkrahjen e shikuesve, por unë jam krenarë me djelmoshat e mi. Kemi arritur fitoren e katërt radhazi si mysafirë në përgjithësi. Tashmë kemi gjasa të mira për kualifikim, edhe pse nuk ka përfunduar asgjë. Ndeshja e ardhshme do të jetë shumë e rëndësishme për ne", ka thënë ai.

Ndryshojnë gjasat

Kapiteni i Prishtinës, Edmond Azemi, është i vetëdijshëm për rastin që kanë lëshuar. Edo thekson se nuk kanë qenë të mirë në mbrojtje."Kemi luajtur mirë në pjesën e parë, por në atë të dytë kemi dështuar. Skuadra kundërshtare ka qenë dukshme më e mirë se ne në mbrojtje, duke shënuar pikë me lehtësi. Kemi humbur shumë topa në këtë ndeshje, edhe pse kemi luftuar deri në fund. Tashmë gjasat ndryshojnë. Duhet të shpresojmë që Mons do të fitojë kundër Demir-it, në të kundërt do të kemi shumë vështirë, pasi duhet të fitojmë me epërsi të thellë kundër skuadrës turke. Tani nuk është koha të drejtojmë gishtin nga ndonjë person për humbjen e fundit, pasi skuadra më e mirë fitoi dhe ne duhet të shikojmë përpara", deklaroi Edmond Azemi. Prishtina në takimin e parë kishte mundur Mons në Belgjikë me dy pikë dallim 74:72, derisa u mposhtë në kryeqytet me rezultat 75:69. Bardhekaltrit tashmë do të jenë të 'tifozë' për Mons që të fitojë ndaj Demir-it dhe shpresat e prishtinasve të mos zbehen deri në maksimum. Në edicionin e tretë radhazi, Prishtina kishte rastin jetik për t'u kualifikuar tutje.

(Kosova Sot)

12 orë e 19 minuta më parë