Sportistët nuk besojnë, futbolli mbetet në lloç

  • 11 December 2017 - 08:36
Sportistët nuk besojnë, futbolli mbetet në lloç

P olitika në fushata zgjedhore asnjëherë nuk e ka harruar sportin, madje vetëm 50 për qind e premtimeve të dhëna sikur të realizoheshin, sot futbolli ynë nuk do të ishte i detyruar t'i ndërpresë garat para kohe, por t'i vazhdonte ato siç po vazhdojnë pothuaj në gjithë Evropën. Premtimet për investime në stadium nuk munguan as në zgjedhjet e fundit. Mirëpo, sa është punuar në realitet, dëshmuan ndeshjet e javës së fundit të kampionatit, të cilat u zhvilluan në fusha që më shumë i ngjasonin arave sesa atyre sportive, pasi balta që i kishte mbërthyer nuk përkonte aspak me ndeshjet e futbolli. Kjo edhe ka bërë që skepticizmi tek futbollistët të rritet dhe ata pak besojnë se shteti do të investojë në stadiume, duke krijuar përshtypje se futbolli ynë edhe në të ardhmen do të vazhdojë të luhet nëpër lloç. Aq më keq është fakti se edhe vitin e ardhshëm rrezikojmë që Përfaqësuesja jonë të mos ketë mundësi që ndeshjet eliminatore për kampionatin Evropian t'i zhvillojë në Prishtinë, pasi stadium i kryeqytetit është ende larg përfundimit të punimeve, derisa afati për licencimin e tij nga UEFA po afron. Njëri nga futbollistët më me përvojë në futbollin tinë, Taulant Dajaku, i cili gjatë karrierës së tij ka pasur fatin të luajë pothuajse në gjitha stadiumet anembanë Kosovës, në një bisedë për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se beson shumë pak në atë që është premtuar deri tash.

Korrupsioni nuk po na lë të ardhme

"Mendoj se problemet që na kanë përcjellë këtë edicion janë probleme që jetojnë bashkë me futbollin në vendin tonë prejse ekziston organizimi sportiv këtu dhe kjo ndodh për paaftësi të organizimit të mirëfilltë. Ne thjesht po mbijetojmë, nuk po zhvillohemi jo vetëm në sport, por në asgjë", ka thënë shumë i dëshpëruar futbollisti i Drenicës, Taulant Dajaku, duke folur më pas për premtimet që i ka dëgjuar gjatë fushatës zgjedhore. "Dua të besoj së gjërat do rregullohen, por nuk është se kam pritshmëri të mëdha. Sa u përket investimeve, mendoj se derisa do të ketë në këtë masë korrupsion kaq të madh në vend, edhe investimet do të jenë sipërfaqësore dhe nuk do të rregullojnë asgjë. Kujtojmë stadiumin "Adem Jashari", i rinovuar disa herë dhe ende është i pashfrytëzuar nga liga jonë, pastaj stadiumi i Prishtinës u bën vite duke u zvarritur, e plot gjëra tjera, kështu që e ardhmja e afërt mendoj se nuk ka dritë. Por gjithsesi, duhet të shpresojmë se gjërat do të marrin kahe tjetër pasi them se fundin veç e kemi prekur", ka thënë Dajaku .

Klubet në krizë

Njëra nga skuadrat që duhet të jetë shembull këtë edicion për shtetin dhe institucionet pa dyshim duhet të jetë Drenica dhe futbollistët e saj. Pavarësisht se klubi ishte në një krizë shumë të madhe, futbollistët e saj u mobilizuan dhe duke e respektuar uniformën dhe emblemën e skuadrës u angazhuan maksimalisht dhe përkundër që nuk u paguan me muaj të tërë, arritën t'i sjellin rezultate Drenicës që pothuajse askush nuk i kishte pritur. Dajaku po beson se më në fund edhe për këtë klub do të dalë dikush që të përkujdeset dhe të normalizojë situatën. "Sa i përket Drenicës, dua të besoj që gjërat do të rregullohen dhe do të ketë njerëz që do e marrin në dorë organizimin e klubit dhe t'i kryejnë obligimet që kanë ndaj nesh, në mënyrë që të mund të vazhdojmë punën dhe sukseset që i kemi marr këtë stinor edhe përkundër vështirësive", ka thënë për "Kosova Sot" Taulant Dajaku. Për fat të keq, në këtë situatë të keqe financiare nuk është vetëm Drenica. E tillë është situata edhe tek Vëllaznimi e Besa, madje tek kjo e fundit shumë më keqe sesa mendohet, pasi gjithë futbollistët e ekipit të parë ka muaj që e kanë bojkotuar skuadrën dhe nuk e kanë ndërmend të kthehen derisa nuk shlyhen obligimet financiare ndaj tyre. Se çfarë do të sjellë pranvera mbetet të shihet, mirëpo siç po shkojnë punët në terren, atëherë është vështirë të besohet se do të kemi një pranverë të mbushur me lule dhe aromë të bukur.

(Kosova Sot)