Shkëlqen Drita, rrëmben vendin e parë

  • 19 March 2018 - 08:59
Shkëlqen Drita, rrëmben vendin e parë

Dështimin e Prishtinës shumë mirë e ka shfrytëzuar Drita

Drita ka shënuar një fitore të madhe në Gjakovë, duke e mposhtur Vëllaznimin, fitore kjo që e ka dërguar në pozitën e parë në tabelë, duke e ndezur kështu maksimalisht luftën për titullin e kampionit

Këtë fundjavë janë zhvilluar ndeshjet e javës së 24-t në Vala Superligën e Kosovës në futboll, të cilat ashtu siç janë paralajmëruar kanë sjellë futboll tejet interesant dhe joshës për tifozët. Pa dyshim vëmendja më të madhe ka zgjuar përballja Drenica - Prishtina dhe Vëllaznimi - Drita, ndeshje këto që edhe sollën ndryshime në renditjen tabelore. Rezultate interesante janë shënuar edhe në pjesën e poshtme të tabelës. Besa ka shënuar fitoren e parë në stinor, duke e mundur Gjilanin ndërsa Flamurtari u rrëzua në shtëpi të vetë nga Liria për ta rrezikuar kështu maksimalisht mbijetesën. Drama më e madhe ka ndodhur në Podujevë ku Llapi e Trepça'89 kanë luajtur baras 3:3. 

Dorëzohet Vëllaznimi, hakmerret Drita

Drita ka shënuar fitore si mysafire në Gjakovë, duke e mposhtur Vëllaznimin, me rezultat 1:0, fitore kjo që ia mundësoi Dritës që të ngjitet në pozitën e parë në renditje, me 44 pikë, një më shumë se lideri i deritashëm, Prishtina. Golin e fitores për gjilanasit e realizoi Endrit Krasniqi, në minutën e 69-të. Drita me këtë fitore dha sinjale të forta se sivjet është kandidat shumë serioz në luftë për titull dhe se kjo gjë do të diskutohet me Prishtinën deri në ndeshjen e fundit, atëherë edhe kurpërballën ndërmjet vete. Atmosfera në Gjakovë ka qenë impozante ku ishin mbledhur më shumë se 4 mijë tifozë, gjë e cila edhe e hijeshonte këtë sfidë tejet të fortë dhe të luftuar nga të dyja skuadrat vetëm për fitore. Fitore shumë të rëndësishme si mysafire në garën për titull ka shënuar edhe Liria, e cila në kryeqytet e ka mposhtur Flamurtarin, me rezultat 2:1. Në anën tjetër fitore të rëndësishme në garën për mbijetesë ka realizuar Besa, e cila si vendase e ka mposhtur Gjilanin, 1:0, me golin e Robert Gjerajt, në minutën e 55-të. Ndërkohë, skuadra e fundit në renditje, Vllaznia ka barazuar 0:0 me Feronikelin, në sfidën e zhvilluar në Gjilan.

Drenica ia bën "ferr" jetën Prishtinës

Drenica edhe një herë konfirmohet si 'macja e zezë' e Prishtinës, teksa pasditen e së shtunës arriti ta mposhtë sërish në këtë kampionat, këtë herë me rezultatin minimal 1:0. Në një nga takimet më interesante të javës së 24-t të Vala Superligës, skuadra kryeqytetase nuk arriti të rikthehet te fitorja, pas barazimit javën e kaluar ndaj Trepçës 89. Nga ana tjetër, Drenica iu fal golit të shënuar nga Mëziu në minutën e 52-të, për të marrë një 3- pikësh me shumë vlera, në luftën për mbijetesë. Kjo ishte hera e 3-të në këtë sezon, që Drenica e Prishtina ndesheshin së bashku dhe kryeqytetasit kanë humbur 2 e barazuar një."Problemi ynë këtë herë ishte se nuk u futëm në lojë ashtu siç duhet dhe zhvilluam pjesë të parë shumë të dobët. U munduam të ndryshonim në pjesën e dytë në momentin kur na goditi kundërshtari me një sulm në portën tonë e cila s'do të duhej të ndodhte. Pastaj nuk patëm qetësinë e duhur dhe kjo bëri që ta humbim ndeshjen", ka thënë trajneri i Prishtinës, Mirel Josa. Në anën tjetër për trajnerin e Drenicës, Sadat Pajaziti, kjo fitore ishte shumë më peshë për të ardhmen. "E fituam ndeshjen, i fituam tre pikë për motiv i cili na është dashur duke e arritur ndaj një Prishtine, e cila është super, që ka lojtarë shumë kualitativ e me shumë përvojë. Tani jam shumë i lumtur, për lojtarët më shumë, sepse nuk e meritonin të ishin në këtë gjendje", ka thënë Pajaziti. Një ndeshje mjaft spektakolare rezultoi edhe sfida e luajtur në Podujevë, mes Llapit vendas dhe Trepçës 89, e cila përfundoi në barazim 3:3.