Challandes e nis ME SHUMË RISI

  • 20 March 2018 - 09:45
Challandes e nis ME SHUMË RISI

PËRZGJEDHËSI I KOSOVËS SHPALOS LISTËN PËR DY NDESHJET MIQËSORE

Kosova do të ballafaqohet me Madagaskarin dhe Burkina Fason në Francë

Kosova këtë herë vjen me shumë risi dhe atë jo vetëm në stolin e trajnerëve, por edhe në listën e lojtarëve. Voca, Taipi e Zhegrova, janë emrat e rinj, madje për këtë të fundit u bë shumë "luftë"ndërmjet Kosovës e Shqipërisë, çka u desh të intervenojë kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri për të sqaruar gjithçka

Kombëtarja e Kosovës në futboll do t'i luajë dy ndeshje miqësore në Francë në datat e lira të FIFA-s. Më 24 mars, Kosova do të ballafaqohet me Madagaskarin nga ora 19:00, kurse më 27 mars po ashtu në orën 19:00 do të luajë kundër Burkina Fasos. Në këto dy ndeshje do ta bëjë debutimin në krye të kombëtares së Kosovës, përzgjedhësi i ri, Bernard Challandes, i cili për këto dy ndeshje ka ftuar 23 futbollistë. Padyshim përzgjedhësi zviceran i Kosovës qysh në start ka bërë disa risi duke futur emra të rinj derisa ka lënë jashtë listët dy mesfushorët kryesorë të Kosovës, Valon Berisha e Besar Halimi, për shkak të lëndimeve

Zhegrova, Voca, Taipi Kosova, e cila nga sot nis grumbullimin në Francë për këto dy ndeshje miqësore, vjen me shumë risi dhe atë jo vetëm në stolin e trajnerëve, por edhe në listën e lojtarëve. EdonZhegrova, Idriz Voca e Gjelbrim Taipi janë emrat më të rinj të Kosovës. Sa u përket këtyre tre lojtarëve të rinj, që i janë bashkuar Kosovës, dy janë pjesë e kampionatit zviceran (Taipi e Voca), ku trajneri Challandes ka njohuri të mira, pasi vjen nga i njëjti vend, derisa i treti është nga kampionati belg (Zhegrova). Për këtë të fundit u bë shumë zhurmë, pasi Zhegrova ftesën e kishte edhe nga Kombëtarja e Shqipërisë dhe tek pas ndërhyrjes së presidentit Fadil Vokrri, ai vendosi të jetë pjesë e Kosovës.

Mungojnë të "rebeluarit"

Përveç disa prurjeve të reja, këtë herë edhe numri i mungesave është bukur i madh. Padyshim më të vlerësuarit janë, dyshja kryesore në mesfushë Valon Berisha e Besar Halimi për shkak të lëndimit, derisa jashtë liste kanë mbetur edhe dy futbollistët e "rebeluar" në kohën e Albert Bunjakit, Besart Berisha e Donis Avdijaj, të cilët pavarësisht se po shkëlqejnë me formën e tyre, nuk e kanë bindur trajnerin e ri për t'i ftuar, por që besohet se në ndeshjet e radhës gjithsesi se do të jenë pjesë e Kosovës. Një mungesë tjetër që bie në sy është ajo e futbollistit të vetëm që vinte nga Superliga e Kosovës, Armen Thaqi. Padyshim hendikep do të jetë edhe mungesa e qendërmbrojtësit Bajram Jashanica, i cili përveçqë ka probleme me lëndimin, ai përballet edhe me telashet e dopingut. Sido që të jetë, edhe pse në opinion, kundërshtarët e Kosovës (Madagaskari dhe Burkina Faso), nuk po cilësohet si rivalë që ngjallin interesim, gjithsesi për taborin e Kosovës këto dy ndeshje vlerësohen shumë, pasi do t'i ndihmojnë trajnerit të ri nga afër të sheh formën dhe nivelin e lojtarëve që do t;i ketë në dispozicion në eliminatoret për Evropian si dhe në turneun e Ligës së Kombeve.

(Kosova Sot)