Sfida e dyfishtë për Kosovën

  • 22 March 2018 - 08:48
Sfida e dyfishtë për Kosovën

VASHAT U-20 I PRESIN TRI NDESHJE MJAFT TË VËSHTIRA 

Kosovën e presin tri ndeshje të vështira në fushë dhe një jashtë saj. Kjo jashtë fushës ka dal më problematike. Turneu i kualifikueseve të Kampionatit Botëror U20 në hendboll për femra do të zhvillohet nga dita e premte në Serbi. Fillimisht Kosova nuk kishte pranuar të luajë në këtë turne, pasi Serbia nuk dëshironte që Kosova të paraqitej me simbole shtetërore, por më pas Federata Ndërkombëtare e Hendbollit ka vendosur që të gjitha ekipet të marrin pjesë pa himn dhe flamur. Federata e Hendbollit e Kosovës në bashkëpunim me Komitetin Olimpik të Kosovës ka vendosur që të marrin pjesë. Kosova përballet me Serbinë në orën 16:00 më 23 mars, pastaj më 24 mars me Norvegjinë dhe më 25 mars me Sllovakinë. Takimi ndërmjet Serbisë dhe Kosovës ishte paraparë të zhvillohej në Kragujevc, por nuk do të zhvillohet në këtë vend pas kundërshtimit të serbëve dhe takimi do të zhvillohet në ndonjë vend tjetër

Triumf i Kosovës

Kryetari i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Eugen Saraçini, është shprehur se të zhvillohet një ndeshje sportive dhe politika të mos ndikojë në këtë takim shumë të ndejshëm."Shpresoj se do të jetë një ndeshje sportive dhe jashtë politikës. 

Ne i kemi ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për këtë ndeshje. Takimi nuk është vendosur se ku do të zhvillohet. Ne nuk do të lejojmë në asnjë mënyrë që të cenohet integriteti i askujt, duke përfshirë edhe të vashave tona që do të jenë në Serbi. Besoj se kjo do të jetë hera e fundit që Federata Ndërkombëtare e Hendbollit do të lejojë që Serbia dhe Kosova të ndeshen, pasi është problematike edhe për ata", është shprehur Saraçini në konferencën për media."Ne kemi qenë në koordinim të plotë me Komitetin Olimpik të Kosovës dhe kemi vendosur së bashku që të paraqitemi pa simbole shtetërore në këtë turne. Megjithatë, emri ynë figuron qartë dhe për ne kjo është një fitore, ende pa u zhvilluar ndeshja. Ne do të luajmë në Serbi. Kjo është shumë e rëndësishme. Të gjitha ekipet pjesëmarrëse në këtë turne do të paraqiten pa simbole, dhe shpresoj se nuk do të ketë asnjë incident, dhe shpresoj se do të zhvillohet ndeshja, ashtu siç duhet dhe të mos ketë ndikim nga politika. Nëse diçka ndryshon në çastet e fundit, atëherë, edhe ne do të reagojmë me kohë", ka shtuar tutje kryetari i FHK-së.

Për paraqitje sa më të mirë ndaj Serbisë

Trajneri i Kosovës në hendboll U-20, Faruk Shala, ka theksuar se do të mundohen të kenë paraqitje të mira në këtë turne kualifikues, duke përfshirë edhe ndeshjen e parë me Serbinë. "Që nga 13 marsi jemi grumbulluar në Prishtinë, së bashku me ekipin e parë të Kosovës dhe pas ndeshjes me Bjellorusinë, disa vasha do t'i bashkohen Kosovës U-20, për tri ndeshjet që do t'i kemi në Serbi. Duhet theksuar se në këtë turne, do të kemi disa probleme me lojtarë, sepse dy nuk munden të luajnë, vajza nga diaspora, kurse një është lënduar. Megjithatë, ne kemi bërë përgatitjet e nevojshme, dhe kemi analizuar të gjithë kundërshtarët e këtij turneu, duke përfshirë edhe ndeshjen e parë me Serbinë. Çdo sportist hyn për fitore dhe kështu do të luajmë edhe ne. Do të mundohemi të kemi paraqitje sa më të mira në këto tri ndeshje. Edhe ndaj Serbisë besoj se do të kemi paraqitje të mirë, ndërsa për rezultat nuk mund të flas tani. Shpresoj se në përgjithësi do të kemi paraqitje të mira", është shprehur Shala.

(Kosova Sot)