Vettel kërkon fitoren në Monza

  • 01 September 2015 - 12:52
Vettel kërkon fitoren në Monza

Në Monza regjistroi fitoren e tij të parë në Formula 1, pikërisht në vitin 2008 kur pilotonte një makinë Toro Rosso. Tanimë ai është pjesë e Ferrarit dhe Sebastian Vettel ka një arsye më shumë për të synuar suksesin e tij të 4-t në Cmimin e Madh të Italisë pasi do të garojë në shtëpinë e kokëkuqes. Me skuadrën italiane piloti gjerman numron 2 fitore një në Majlazi dhe një në Hungari por në Monza objektivi i Vettel është i qartë të arrijë një tjetër triumf pas atyre dy me Red Bullin në 2011 dhe 2013-n dhe atij me Toro Rosson në 2008-n.

“Natyrisht që në Monza kam kujtime të bukura dhe për mua është dicka speciale të kthehem aty duke garuar me një makinë Ferrari. Shpresoj të bëj një paraqitje sa më të mirë. Unë dhe Kimi do të japim maksimumin në Monza për të kënaqur tifozët e kokëkuqes”.

Gjithsesi Vettel e di shumë mirë që për të fituar në Monza duhet të zhvillojë një garë perfekte pasi Lewis Hamilton dhe Nico Rosberg po kalojnë një formë të shkëlqyer dhe për të mundur Mercedesin, Ferrari do të ketë një mision shumë të vështirë.

“Pista e Monzas nuk është shumë e lodhshme nga pikëpamja fizike, por kjo nuk do të thotë se është një pistë e lehtë. Kthesat janë të shumta në Monza dhe duhet të dish të menaxhosh frenat sepse në to arrihet me shpejtësi shumë të lartë. Jam kurioz të ngas një makinë Ferrari në këtë cirkuit sepse këtë vit Power Unit është më potent ndërsa edhe tifozët e Ferrarit janë të shumtë këtu. Mezi po pres momentin për të garuar në Monza”.