Superliga, me befasi

  • 17 October 2018 - 09:17
Superliga, me befasi
Rahoveci ka shënuar katër fitore, Trepça katër humbje  

Edicioni i ri në Superligën e Kosovës në basketboll ka dhuruar shumë befasi. Kampioni, Bashkimi ka vetëm një fitore në katër ndeshjet e para, derisa skuadra me traditë Trepça, nga katër ndeshje, ende nuk e ka shijuar fitoren. Ponte Prizreni, që hyri nga Liga e Parë, ka regjistruar tri fitore, kurse Rahoveci vazhdon me rekordin 100 %

Ky edicion në basketbollin e Kosovës ka dhuruar shumë befasi. Ky është edicioni i parë që Peja nuk është pjesë e elitës, derisa Borea zuri vendin e saj. Nga Liga e Parë e basketbollit u inkuadruan Lipjani dhe Ponte Prizreni. Kështu pritej një stinor shumë interesant dhe ngritje të cilësisë, megjithatë, ky fillim nuk dallon nga viti i kaluar. Deri më tani nuk ka ngritje të interesimit për basketboll kur kanë kaluar katër xhiro në elitë, madje, mungojnë derbit e shumtë që ishin viteve të kaluara.  

Befasia për të mirë dhe për të keq
Katër xhirot e para kanë dhuruar shumë befasi. Z Mobile Prishtina dhe Rahoveci janë të vetmet me 100 % fitore, kurse Trepça është e vetmja ende pa fitore në garat e elitës. Kampioni Bashkimi nuk e ka nisur aspak mirë edicionin, me një fitore dhe tre humbje, kurse skuadra tjetër prizrenase Ponte Prizreni, ka regjistruar tre fitore dhe një humbje. Ish-basketbollisti i njohur, Valentin Spaqi, thotë se, pikërisht Ponte Prizreni është befasia e këtij edicioni. "Në katër xhirot e para të Superligës, për mu më interesante ka qenë forma e mirë e treguar nga Ponte Prizreni. Është befasia më e mirë e këtij edicioni deri më tani. Kanë hyrë nga Liga e Parë e basketbollit, megjithatë, ka tri fitore dhe një humbje. Ka treguar paraqitje mjaft të mira në këtë fillim edicioni", është shprehur Valentin Spaqi për gazetën "Kosova Sot". Ai komenton edhe formën e dobët të Trepçës. "Sa i përket Trepçës mendoj që ende janë në fazën e ngritjes së formës së tyre. Megjithatë, besoj se do ta ketë vendin e vet në 'play-of'", ka shtuar tutje ish-basketbollisti i njohur për gazetën "Kosova Sot". Trepça assesi nuk po arrin të këndellet, dhe përkundër se ka rikthyer vendorët dhe është përforcuar me lojtarë të huaj, ende nuk e ka shijuar fitoren këtë edicion në elitën e basketbollit.

Dallimi nga viti i kaluar
Largimi i Pejës dhe kriza e Bashkimit e Trepçës, ka bërë që të mos ketë rritje të interesimit në basketboll. "Dallimi nga edicionet e kaluara është se jemi mësuar të shohim katërshen e madhe Prishtina, Peja, Bashkimi dhe Trepça. Largimi i Pejës ka pasur pasoja të mëdha, sepse Peja është qytet i basketbollit dhe ka jetuar për basketboll. Gjithmonë ka luftuar për trofe dhe garat kanë qenë shumë interesante. Adhuruesit e basketbollit janë mësuar të shohin katërshen e madhe duke luftuar për trofe, andaj thyerja e kësaj katërshe ka zbehur interesimin", theksoi ndër të tjera Valentin Spaqi për gazetën "Kosova Sot". Prishtina është përforcuar dukshëm nga skuadrat tjera dhe nëse nuk do të ketë ndryshime deri në fund, atëherë, nuk do të kenë problem të fitojnë trofetë në basketbollin e Kosovës. Bardhekaltrit dhe kampionët e Kosovës gjithashtu po marrin pjesë në garat ndërkombëtare. Prishtinasit dhe prizrenasit garojnë në Ligën Ballkanike, kurse kryeqytetasit edhe në FIBA Europe Cup, ku ndeshjen e parë do ta kenë të mërkurën (sot). Ata i filluan garat në kualifikimet e Ligës së Kampionëve, megjithatë, u mposhtën qysh në xhiron e parë. 

(Kosova Sot)