Yjet e Man Unitedit i përqeshin legjendat e klubit

  • 18 October 2018 - 11:19
Yjet e Man Unitedit i përqeshin legjendat e klubit

Lojtarët e Manchester Unitedit janë të zhgënjyer dhe të zemëruar me legjendat e klubit, si Paul Scholes, Gary Neville dhe Rio Ferdinand, për shkak të kritikave të vazhdueshme që marrin nga ta. Për këtë arsye, ata kanë filluar t’ua dërgojnë njëri-tjetrit video të gabimeve të ish-lojtarëve gjatë karrierës së tyre.

Ish-mesfushori legjendar i Manchester Unitedit, Paul Scholes, ka qenë një ndër kritikuesit më të mëdhenj të ish-klubit të tij, veçanërisht për yllin francez të “Djajve të kuq”, Paul Pogba.

Edhe dy legjendat tjera të klubit, Gary Neville dhe Rio Ferdinand, i kanë shprehur hapur mendimet e tyre për gjendjen e tanishme të klubit, megjithatë kritikat e tyre kanë shkuar edhe përtej lojtarëve dhe trajnerit, pasi që ata i kanë kritikuar edhe drejtuesit e klubit.

Mirror Sport raporton se lojtarët e Manchester Unitedit tani kanë filluar t’i dërgojnë njëri-tjetrit video të gabimeve të legjendave të klubit, që ata i kishin bërë gjatë karrierës së tyre me “Djajtë e kuq”.

Këtë gjë ata e kanë bërë pasi që mendojnë se disa nga komentet e legjendave të klubit kanë qenë të tepërta dhe kanë qenë më shumë personale sesa kritika konstruktive. Më së shumti, ata janë zemëruar me akuzat se atyre nuk u intereson për klubin.

Lojtarët e Manchester Unitedit besojnë se ish-lojtarëve u mungon guximi për ta kritikuar trajnerin portugez, Jose Mourinho, dhe për këtë arsye i kanë sulmuar lojtarët.

(Kosova Sot)