Laporta konfirmon se Xavit do t’i ofrohet kontrata e re

  • A.P /
  • 07 March 2023 - 18:45
Laporta konfirmon se Xavit do t’i ofrohet kontrata e re

Në sezonin e tij të parë të plotë si trajner i Barcelonës, Xavi Hernandez, po kalon formë të mirë me skuadrën e tij në garat vendase, por jo edhe në ato evropiane.

Pas një sezoni pa trofe herën e fundit, Barça tashmë e ka siguruar të parin për këtë sezon, Superkupën e Spanjës

Skuadra e drejtuar nga spanjolli është në garë edhe për titullin e kampionit në La Liga, si dhe në Kupën e Mbretit.

Pavarësisht rezultateve të dobëta në Evropë, zyrtarët e Barcelonës janë shumë të kënaqur me punën e Xavi si trajner.

Dhe, presidenti i klubit nga “Camp Nou”, Joan Laporta, ka konfirmuar se një zgjatje e kontratës do të vendoset në verë, ka raportuar “Mundo Deportivo”.

“Tashmë jam duke menduar për rinovimin e Xavit, edhe nëse nuk e fitojmë ligën. Ai thotë se nuk është ende koha, pasi ne fillimisht duhet të fitojmë La Ligan, por ai e meriton atë”, tha Laporta.

43-vjeçari ka kontratë të vlefshme deri më 30 qershor 2024.

Barcelona prin në tabelë me 62 pikë pas 23 xhirove, nëntë më shumë se Real Madridi.

Barça është në gjysmëfinale të Kupës së Mbretit. Skuadra e Xavit e fitoi minimalisht (0:1) ndeshjen e parë të kësaj faze, kundër Real Madridit. 


(Kosova Sot Online)