La Liga do të luhet edhe në Amerikë

  • A.P /
  • 24 April 2024 - 15:47
La Liga do të luhet edhe në Amerikë

La Liga do të luhet edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Jo menjëherë, as në sezonin tjetër, por pas disa vitesh, disa ndeshje të kampionatit spanjoll do të luhen në SHBA.

Këtë e ka bërë të ditur presidenti i La Ligas, Javier Tebas në një intervistë për “Expansion”.

“Nuk e di kur, por këtë radhë La Liga do të luajë ndeshje zyrtare edhe jashtë vendit. Mendoj se mund të nisim nga sezoni 2025/26”, deklaroi fillimisht ai.

“Të luajmë ndeshje zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta përforcojë pozicionin tonë në tregun amerikano-verior, që është i dyti për La Ligan, pas tregut spanjoll. Jemi duke garuar hap pas hapi me kampionatet tjera të forta, kështu që duhet ta bëjmë këtë hap që disa ndeshje të kampionatit t’i luajmë jashtë vendit, për t’i kaluar ato”, shtoi tutje kreu i futbollit spanjoll.

Spanja e ka provuar që ta zhvendosë Superkupën e saj në Arabinë Saudite, ndërsa do të jetë mjaft interesant të shihen edhe ndeshjet e La Ligas të luhen në një kontinent tjetër.

Natyrisht, do të ketë edhe palë të pakënaqura, sidomos tek klubet, duke e pasur parasysh lodhjen e ekipit shkaku i lëvizjeve dhe udhëtimeve.


(Kosova Sot Online)