Gripshi dhe Hyseni, dyshja që mund ta vendosin titullin në Superligën e Kosovës

  • S.A /
  • 07 May 2024 - 14:46
Gripshi dhe Hyseni, dyshja që mund ta vendosin titullin në Superligën e Kosovës

Ballkani dhe Llapi janë dy skuadrat kryesore në garën për titull në Albi Mall Superligën e Kosovës për edicionin 2023/24. Dy lojtarët vendimtar të këtyre ekipeve pretendente padyshim se kanë qenë Nazmi Gripshi dhe Muhamet Hyseni, të cilët pritet të udhëheqin skuadrën edhe në katër ndeshjet e fundit të sezonit, transmeton "Kosova Sot Online ".

Albi Mall Superliga e Kosovës ka hyrë në fazën finale dhe atë më vendimtare, pasi kanë mbetur vetëm edhe katër ndeshje deri në njohjen e kampionit.

Kampioni në fuqi, Ballkani momentalisht është lideri i kampionatit me 66 pikë, ndërsa Llapi zë vendin e dytë me dy pikë më pak, konkretisht 64 pikë. Në garë është edhe Drita, por me mundësi më të vogla, pasi ka mbetur katër pikë mbrapa liderit.

Në katër ndeshjet e mbetura, Ballkani luan ndaj Malishevës (udhëtim), Fushë Kosovës (vendas), Llapit (udhëtim) dhe e pret Prishtinën, ndërsa Llapi udhëton te Gjilani, e pret Malishevën dhe Ballkanit, teksa në xhiron e fundit e pret Lirinë.

Të dy skuadrat janë në formë të lartë në këtë sprintin final, duke marrë rezultate pozitive në thuajse të gjitha ndeshjet e luajtura.

Ballkani ka rezultate më të mira se Llapi në pesë ndeshjet e para të fazës së katërt të kampionatit.

Therandasit kanë fituar katër ndeshje dhe kanë barazuar një, për dallim nga Llapi, i cili ka humbur një ndeshje, ka barazuar një dhe ka fituar tri.

Ekipi i Ilir Dajës ka shënuar 11 gola dhe ka pranuar vetëm dy gola, duke e mbajtur portën e paprekur në katër takime.

Në anën tjetër, ekipi i Tahir Batatinës ka shënuar shtatë gola dhe ka pranuar katër gola, duke e mbajtur portën e pastër në vetëm dy ndeshje.

Gripshi dhe Hyseni, vendimtarët e ekipeve

Mesfushori me tipare sulmuese, Gripshi ka qenë padyshim lojtari kryesor i Ballkanit në fazën e fundit, por edhe gjatë gjithë kampionatit.

Ylli nga Durrësi ka shënuar në pesë ndeshjet e fundit, duke tundur rrjetën nga një herë në secilën nga takimet e luajtura, ndërsa nuk i kanë munguar as asistime.

Gripshi gjithashtu ka shënuar plotë 15 gola në këtë sezon, duke qenë i treti në listën e golashënuesve më të mirë në Superligën e Kosovës.

Në anën tjetër, sulmuesi llapjan e ka rikthyer formën në dy ndeshjet e fundit pas ‘agjërimit’ në tri ndeshjet e para të fazës së katërt.

Hyseni ka shënuar katër gola dhe një asistim në dy ndeshjet e fundit, duke tundur rrjetën dy herë ndaj Prishtinës dhe dy herë ndaj Feronikelit.

23-vjeçari deri tani është golashënuesi më i mirë këtë sezon në Superligën e Kosovës, pasi ka tundur rrjetën 23 herë dhe ka asistuar në pesë raste.

Forma e dy yjeve ndaj kundërshtarëve të ardhshëm

Në ndeshjet ndaj katër kundërshtarëve të fundit të sezonit, Hyseni ka statistika më të mira sesa Gripshi.

Hyseni ka arritur t’i shënojë secilës nga katër ekipet, me Gjilanin dhe Lirinë si të preferuar me nga tri gola nga tri ndeshjet e para ndaj tyre, ndërsa Malishevës dhe Ballkanit iu ka shënuar nga dy herë.

Në anën tjetër, Gripshi e ka kundërshtar të preferuar Malishevës duke ia tundur rrjetën tri herë, Llapit dy herë, Prishtinës një herë, ndërsa me Fushë Kosovën nuk e ka gjetur golin në asnjërën nga tri ndeshjet.

Kështu, në ndeshjet e fundit përveç luftës së Ballkanit dhe Llapit, vëmendja do të jetë padyshim edhe te Gripshi dhe Hyseni, me të dy lojtarët që mund të jenë vendimtar për ekipet e tyre dhe ta vendosin kampionin e Kosovës në sezonin 2023/24.

(Kosova Sot Online )