Edhe një klub i bashkohet garës për Rrahmanin

  • A.P /
  • 07 May 2024 - 22:40
Edhe një klub i bashkohet garës për Rrahmanin

Albion Rrahmani është një prej futbollistëve më të kërkuar nga Superliga e Rumanisë, falë formës së lart të shfaqur me fanellën e Rapid Bukureshtit.

Sulmuesi kosovar deri më tani në këtë sezon numëron 17 gola dhe katër asistime, shifra këto të arritura në vetëm 24 paraqitje në të gjitha garat.

Kësisoj, interesimi për shërbimet e tij nga klubet evropiane nuk ka se si të mungojë.

Së fundmi garës për transferimin e Rrahmanit i është bashkuar edhe Sparta Praga.

Sipas raportimeve nga mediumi çek, “iDNES”, Sparta do të ishte e gatshme të paguajë 2.5 milionë euro për ish-sulmuesin e Ballkanit.

Më herët ishte bërë e ditur se transferimin e reprezentuesit të Kosovës e synon edhe klubi tjetër nga Republika Çeke, Slavia e Pragës.

Rapidi thuhet se kërkon rreth 8 milionë euro për kartonin e Rrahmanit, të cilin e kishte blerë për 600 mijë euro vitin e kaluar.

Por, sipas mediumit çek, kjo shifër nuk ka gjasa që të paguhet nga klubet elitare të Çekisë.

“iDNES” gjithashtu shkroi se “realiteti është më i komplikuar, pasi klubi i dytë më i famshëm në Bukuresht po përballet me probleme. Ndonëse pjesën bazë e përfundoi në vendin e dytë, nuk ia doli mirë në fund të sezonit. Nga tetë ndeshje humbi shtatë herë, barazoi një herë. Është në kërkim të trajnerit të ri dhe do të ndryshojë edhe hierarkia, përfshirë presidentin. Tifozët janë duke u ‘trazuar’, klubi është i ngarkuar me lloj-lloj telashe dhe është e vështirë të parashikohet se si do të ndikojë situata e paqëndrueshme në merkato. Çmimi aktual i Rrahmanit duhet të jetë pak më i ulët, nga pesë deri në gjashtë milionë euro. Edhe kjo ndoshta do të ishte një shumë e jashtëzakonshme për klubet çeke, të cilat nuk transferojnë nga jashtë vendi”.

Kësisoj, mbetet të shihet në verë nëse Rrahmani do të ndryshojë ambient. Ai me klubin rumun ka kontratë të vlefshme deri më 30 qershor 2026.

Werder Bremen, Benfica dhe Aston Villa janë disa nga klubet tjera të lidhura me Albion Rrahmanin. 

(Kosova Sot Online)