Të hetohet trekëndëshi kriminal prokurorë-avokatë-gjykatës

  • 19 February 2019 - 07:50
Të hetohet trekëndëshi kriminal prokurorë-avokatë-gjykatës

Burjani: Kemi korrupsion dhe shumë nepotizëm, sepse politika e ka kapur tërë sistemin përmes ndikimit të vazhdueshëm direkt apo indirekt në sistem

“Përderisa si politika, pushtetet dhe drejtësia janë të korruptuara dhe të kriminalizuara, nuk ka mundësi, as vullnet dhe as dëshirë nga ana e tyre që të marrin nisma kundër krimit dhe korrupsionit. Por, e kundërta pritet prej tyre, e që është ajo se pikërisht këta do të përpiqen gjithmonë me të gjithë takatin e tyre kriminalo-korruptiv për ta penguar dhe për ta bllokuar çdo nismë për VETTING-un.

Këtë e kanë vërtetuar më së miri edhe vetë vështirësia dhe pengesat e mëdha që i nxorën politikanët, pushtetarët, gjyqtarët e prokurorët në Shqipëri VETTING-un, ku vetëm falë ndërhyrjes së SHBA-së u bë i mundur VETTING-u”, thotë analisti Skënder Kapiti për “Kosova Sot”

Njohësit e fushës së sundimit të ligjit janë duke e parë me shqetësim të madh mënyrën se si po funksionon ky sistem pa ndonjë mbikëqyrje efikase, për të eliminuar keqpërdorimin e tij si mjet pasurimi dhe shantazhi kriminal ndaj palëve që nuk janë pjesë e rrjeteve të grupeve të ngushta kriminale të interesit. Ekspertët e kësaj fushe alarmojnë për mënyrën se si po pasurohet zinxhiri bashkëveprues avokatë-prokurorë-gjykatës në kurrizin e klientëve të diskriminuar, të shantazhuar e të mashtruar nga drejtësia e degraduar dhe e padrejtë e korruptive.

Ky pasurim i tyre , sipas analistëve, ndodh kështu për faktin se dyshohet që në sistemin e drejtësisë kosovare funksionon madje edhe shitja e lëndëve, kryesisht në gjykatat kosovare, me ndërmjetësim të avokatëve të caktuar, disa prej tyre të lidhur ngushtë dhe publikisht, por të tjerë fshehurazi, me politikën dhe pushtetarët e inkriminuar. Sipas njohësit të kësaj fushe, Blerim Burjani, për ta konstatuar një gjë të tillë, është vështirë të mblidhen fakte, argumente materiale, por hetimi do të mund të ndodhte pa asnjë pengesë për ta vërtetuar gjendjen.“Nuk ka fakte të prekshme për këtë çështje, së paku deri më tash asnjë hetim i vetëm nuk është bërë, ndonëse ka mjaft dyshime.

Pra, tash për tash nuk dihet asgjë saktësisht, por sidoqoftë, gjithçka që është e dyshimtë duhet të hetohet dhe të gjithë ata që mund të kenë dyshime duhet t’i paraqesin ato dhe dyshimet duhet të zbardhen”, theksoi Burjani për “Kosova Sot”.

Burjani: Korrupsion dhe nepotizëm

Analisti Blerim Burjani thotë se ky sistem i ndërtuar fillimisht nga UNMIK-u, i kaluar në tranzicion tek EULEX-i, deri në kosovarizimin e plotë në shtetin e pavarur ka shumëçka për t’u rregulluar dhe reformuar.“Për më keq në atë kohë ka pasur shumë më shumë mundësi të krijimit të rrjeteve të kundërligjshme të bashkëpunimit për përfitime të kundërligjshme, në atë kohë ka pasur politizim që ka filluar dhe ka shkuar duke u fuqizuar, sepse kjo është kushtëzuar nga mungesa e gjyqtarëve të mjaftueshëm, nga telashet me numër të vogël po ashtu të prokurorëve, lëvizja e ngadalshme në drejtim të forcimit të drejtësisë, por edhe me ngritjen në këmbë të një sistemi të qëndrueshëm.

Fatkeqësisht edhe pas vitit 2008, pas pavarësisë, është trashëguar kjo gjendje. Njerëzit e pushtetit nuk janë hetuar asnjëherë, ose hetimet kanë zgjatur me disa vjet dhe kanë dështuar. Gjithandej në këtë sistemi kemi akoma lidhje të bashkëpunimit për interesa të përfitimit të grupeve të interesit dhe krimit ekonomik. Kemi korrupsion dhe shumë nepotizëm, sepse politika e ka kapur tërë sistemin përmes ndikimit të vazhdueshëm direkt apo indirekt në sistem”, tha Burjani për “Kosova Sot”.

Kosova, larg shtetit të së drejtës

Kritik ndaj mënyrës së funksionimit të këtij sistemi, por pa u ndalur shumë në detaje rreth dyshimeve për lidhjet kriminale, është edhe profesor Riza Smaka.“Roli, vendi i e funksioni  themelor i sistemit të drejtësisë në vendin tonë është i përcaktuar me kapitullin e shtatë të Kushtetutës, i cili kryesisht konsiston në implementimin e ligjit në fuqi. Por, të ishte sendërtuar ky postulat vendi ynë në vend të shtetit juridik do të ishte shtet i së drejtës. Dallimi ndërmjet shtetit juridik dhe shtetit të së drejtës është edhe cilësor, edhe material, edhe formal dhe substancial. Në këtë funksion rol të konsideruar ka edhe administrata publike, e cila në vendin tonë është e stërmadhuar, e paorganizuar, e paprogramatizuar dhe e pasistemuar, sikundër kërkohet dhe për aq është inefikase dhe ineficiente”, vlerësoi ai për “Kosova Sot”.

Sipas Smakës, edhe sistemi edukativo- arsimor për drejtësinë më shumë jep kuantitet sesa kualitet, prandaj pasojat janë të dukshme.“Për faktin e ineficiencës së sistemit të drejtësisë, në masë të konsideruar, shkaktar e për aq fajtor është sistemi i arsimit–edukimit, e veçanërisht referuar fakulteteve të drejtësisë, në të cilat pranohen shumë më tepër studentë nga që kanë kapacitete kuardovike të mirëfillta për t'i menaxhuar. Në anën tjetër, në vendin tonë të vogël territorialisht si dhe me numrin e qytetarëve aktualisht ekziston një duzinë e fakulteteve të drejtësisë në universitete publike dhe në kolegje private, në të cilat nuk ka pedagogë kompetentë”, ka potencuar Smaka.

Smaka: Mungojnë profesionistët

“Në një anë është edhe një numër jo i vogël i pedagogëve të lëndëve juridike që në vend të ligjërimit kualitativ e të përgjegjshëm dhe të përkushtuar improvizojnë ligjërata në një numër të konsideruar të fakulteteve. Po ashtu, fakultetet e drejtësisë kryesisht kualifikojnë kuadro të paspecializuara, por të përgjithshme. Ndër të tjera, ministritë e drejtësisë dhe të arsimit do të duhej të reformonin sistemin e studimeve juridike për të kualifikuar juristë specialistë të fushave penale, civile, administrative, ekonomike, si dhe të drejtimeve shkencore përkatëse.

Ky është një nga parakushtet e kthimit mbarë të  sistemit të drejtësisë në vendin tonë. Po ashtu, intensiteti dhe gama e interferimit politik e pushtetar në punët e prokurorive dhe të gjykatave është e gjerë dhe e fuqishme. Për arritjen e objektivave të tilla nevojiten funksionarë profesionalistë  eminentë, në vend të partizanëve partiakë e meritorë, vetëm për  grumbullimin e votave, madje edhe për grumbullime problematike të votave”, tha Riza Smaka për “Kosova Sot”.

Kapiti: VETTING-u u jep fund të korruptuarve

Sipas njohësit të kësaj fushe, Skënder Kapiti, pa VETTING gjithëpërfshirës në sistem qëkur po kërkohet vazhdimisht nuk mund të ketë rregullim as në gjyqësor, as në prokurori dhe madje as në avokati. Mirëpo, ai thotë se tash për tash kjo reformë e thellë nuk po i konvenon politikës, prandaj edhe nuk ka veprime konkrete as iniciative shpresëdhënëse në këtë drejtim. “As qeverisja, as Parlamenti dhe as nga sistemi gjyqësor në Kosovë nuk pritet që prej tyre të ndërmerret ndonjë nismë propozimi për miratimin e një ligji të VETTING-ut. Kjo sepse  politika, pushteti, deputetët, qeveritarët dhe gjyqtarët e prokurorët janë armiqtë realë de-fakto dhe de-jure më të mëdhenj të VETTING-ut.

Tani me VETTING kuptohet se si mision ai ka realizimin dhe sundimin e ligjit, të shtetit ligjor, antikrimin dhe anti-korrupsionin, pastrimin, hetimin dhe dekriminalizimin e politikës, të pushtetit dhe të drejtësisë”, u shpreh ai.“Por, përderisa si politika, pushtetet dhe drejtësia janë të korruptuara dhe të kriminalizuara, nuk ka mundësi, as vullnet dhe as dëshirë nga ana e tyre që të marrin nisma kundër krimit dhe korrupsionit. Por e kundërta pritet prej tyre, e që është ajo se pikërisht këta do të përpiqen gjithmonë me të gjithë takatin e tyre kriminalo-korruptiv për ta penguar dhe bllokuar çdo nismë për VETTING-un.

Këtë e kanë vërtetuar më së miri edhe vetë vështirësia dhe pengesat e mëdha që i nxorën politikanët, pushtetarët, gjyqtarët e prokurorët në Shqipëri VETTING-ut, ku vetëm falë ndërhyrjes së SHBA-së u bë i mundur VETTING-u”, vijoi më tej tha Kapiti për “Kosova Sot”. Sipas tij, politikanët dhe VIP-at e krimit e korrupsionit në Kosovë, edhe atje i ka kapur paniku, pasi një ligj VETTING-ut në Kosovë do të thoshte agoni e sigurt për ta.

(Kosova Sot)