Përdori forcë fizike ndaj një qytetari, rekomandohet suspendimi i një rreshteri policor

  • A.P /
  • 19 April 2024 - 21:00
Përdori forcë fizike ndaj një qytetari, rekomandohet suspendimi i një rreshteri policor

Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e një rreshteri policor, pasi një ankese nga një qytetar sot në Prizren, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Sipas tij, zyrtari policor ka përdorur forcë.

“Sot paradite në zyrën rajonale të IPK-së në Prizren një ankesë nga një qytetar i cili ankohej për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës nga një zyrtar policor. Ngjarja është raportuar të ketë ndodhur dje në orët e mbrëmjes kur policia kishin ndaluar fillimisht qytetarin/ankuesin për një kundërvajtje në qytetin e Prizrenit.  Pas shqiptimit të dy tiketave për kundërvajtje qytetari ishte shoqëruar në stacionin policor në Prizren. Pas konsultimeve fillestare me prokurorin kompetent, hetuesit e IPK-së janë angazhuar duke ndërmarrë veprime konkrete hetimore duke dalë në vendin e ngjarjes si dhe kanë pranuar edhe raportet mjekësore lidhur me natyrën e lëndimeve trupore të ankuesit”, thuhet në njoftim.

IPK njoftoi se do të ndërmarrin edhe veprime tjera hetimore.

“Përderisa hetimi është duke vazhduar ndaj rreshterit policor (rreshter i Njësisë së Reagimit të Shpejtë në Prizren), IPK bazuar në autorizimet ligjore i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e tij me dyshimin për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës. Hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti”, thuhet tutje në njoftim.

(Kosova Sot Online)