Kosova, vendi i shuarjes së ëndrrave

Kosova, vendi i shuarjes së ëndrrave
  • 16 April 2018 - 08:06

Shpend Ahmeti, kryetar i qytetarëve të Prishtinës, kësaj radhe më vota të vjedhura, dikur ishte me gjendje të mesme, i cili jetonte me babanë e tij tanimë të ndjerë, Aliun. Aliu ishte një aktor i mirë dhe nuk kishte ambicie për t'u pasuruar, siç nuk kishte pjesa dërmuese e popullit tonë të robëruar. Shpend Ahmeti, përveçqë u pasurua shumë shpejt me para, ai u pasurua edhe nga shëndeti, por që mbipesha po ia keqësonte gjendjen shëndetësore, andaj detyrohet të shkojë në Belgjikë për të hequr peshë

SHKRUAN: RESHAT SAHITAJ 

Kam bindjen se ne shqiptarët gjithnjë ishim të varfër. Ky mendim ndoshta nuk është objektiv, mirëpo nëse e shikojmë trashëgiminë tonë kulturore të lënë nga brezat e së kaluarës nuk do të hasim në ndonjë objekt që do na mrekullonte si për nga vjetërsia po ashtu edhe nga arti i të punuarit. Objektet e kulteve fetare që i përballuan kohës janë të punuara e meremetuara nga pushtuesit, sikurse edhe kështjellat që ende sot gjenden në qytete dhe vende të ndryshme të Kosovës. Ndoshta jam krejtësisht gabim, pasi që nuk jam ekspert i kësaj fushe, mirëpo në vete gjithnjë mendoj se pse ne nuk kemi diçka që mund të krenohemi me paraardhësit tanë. Duke menduar kështu, vetën e kam ngushëlluar duke ia hedhur fajin pushtuesve të cilët pa asnjë dyshim i kanë shkatërruar të gjitha gjurmët e trashëgimisë sonë kulturore, për të mbjellë kulturën e popujve që na pushtuan.  

Të dobëtit privilegjohen Për ta okupuar një popull është e nevojshme të gjenden bashkëpunë- torë, të cilët me dëshirë i ndihmojnë sistemit pushtues nga i cili privilegjohen skajshmërisht. Për pushtuesit nuk paraqet problem pasurimi i një grupi të vogël shërbëtorësh, të cilët gëzojnë benfecione të pakufizuara në aspektin e pasurisë, por nuk e gëzojnë asnjë privilegj të japin mendime politike në sistemin okupues. Për të konfirmuar këtë mendim nuk duhet të bëjmë hulumtime të thella nëpër shekuj të historisë sonë kombëtare, por do të mjaftonte të ndalemi te sistemi totalitar jugosllav ku shqiptarët ishin të ndarë në katër republika. Sistemi i asaj kohe i vrau, i burgosi, i dëboi më të mirët për t'i privilegjuar më të dobëtit më të cilët do t'i themelojnë gurthemelet e bashkimvëllazërimit. Politika e okupuesit është e tillë që më të keqin të shndërrojnë në njeri më të mirë dhe ta paraqesin si njeriun më të aftë jo vetëm të popullit të tij, por të mbarë shtetit që të ka pushtuar. Gjenerata ime e ka përjetuar këtë propagandë dhe ne si fëmijë habiteshim se sa të mençur e të aftë ishin liderët tanë të asaj kohe si: Fadil Hoxha, Veli Deva, Xhavit Nimani, Mahmut Bakalli, Azem Vllasi … e shumë të tjerë, pa menduar asnjëherë se këta ishin vetëm marioneta që shërbenin vetëm si shtylla për ta zgjatur jetën e pushtuesit në trojet tona. Ende i kam të freskëta fjalët dhe shkrimet e asaj kohe rinore ku thuhej e shkruhej se Mahmut Bakalli ishte njeriu ndër më të mençurit në Jugosllavi, për të cilin vazhdohej të thuhej se kishte aftësi për ta udhëhequr edhe Amerikën se Jugosllavia ishte një pikë e vogël për të. Me kalimin e kohës, e kuptova se si disa nga shtresa politike edhe ajo intelektuale e veçmas e shkrimtarëve të Kosovës ishin vetëm shpirti i zgjatjes së sistemit të robërisë. Të kuptoje së këta ishin shpirti i zgjatjes së jetës së pushtuesit ishte rrezik, andaj dergjej në kazamatet jugosllave Adem Demaçi, i cili e kishte zbërthyer sekretin e kodit të pushtuesit, dergjej Fazli Grajçevci e shumë e shumë të tjerë e një pjesë tjetër si Sefo Bejta Krasniqi, Jusuf Gervalla, Kadri Zeka, unë, Gani Azemi e shumë të tjerë morëm rrugët e arratisjes. Gjatë veprimtarisë sime për ndërkombëtarizimin e çështjes kombëtare, më rastisi të bisedoja me një personalitet të njohur Phippe Moureau, i cili ishte ministër dhe që e kishte vizituar Kosovën ku ishte pritur nga Tito dhe natyrisht nga Mahmut Bakalli. Zoti Philipe Moureau gjatë vizitës në Kosovë ishte përpjekur të gjente mundësinë të fliste për situatën politike të shqiptarëve, mirëpo Mahmut Bakalli as që i kishte dhënë hapësirë nga entuziazmi duke i folur për të arriturat e sistemit jugosllav. Philippe Moureu, më tha se Mamut Bakalli sillej si sulltan në mesin e një popullsie të varfër dhe gjestin e tij e quante të turpshëm. Shtresa e dikurshme politike, tani në Kosovën e pavarur, është zëvendë- suar me një shtresë të re politikanësh, të cilët ia kalojnë si me sjellje edhe me pasuri përrallore shtresës së dikurshme. Politikanët e sotëm nuk kanë edukatë dhe kulturë atdhedashurie që i bën të dallojnë nga politikanët e kohës së sistemit okupues, të cilët si kusht parësor e kishin përfundimin e një kursi gjashtëmujor në Kumrovc apo në ndonjë qytet tjetër të Serbisë ku mësonin bazat elementare të edukatës dhe kulturës së atdhedashurisë që për atë kohë quhej Juogsllavi. Shtresës së politikës së pasluftës u mungon kultura themelore të duan atdheun e tyre Kosovën dhe popullin e saj, në mënyrë që shumë vite më vonë të përkujtohen me respekt nga populli, për qeverisjen e tyre. Nëse dikur Mahmut Bakalli është sjellë si sulltan, tani këta sillen si sheikët arabë të cilët pasuritë natyrore i konsiderojnë pasuri familjare e jo shtetërore. 

Shpend Ahmeti, shembulli më i keq Nëse do ta krahasojmë pasurinë e disa politikanëve tanë me ata perëndimorë, do të na rezultojë se politikanët tanë janë shumë më të pasur se sa ata perëndimorë. Në Perëndim ekzistojnë multimilionerë e miliarderë, mirëpo pasuria e tyre nuk është e fituar nga posti që kanë pasur në qeveri. Është normale që njerëzit të pasurohen nga puna e tyre, por nuk është normale që të aktivizohemi në politikë për t'u shndërruar në milionerë. Pasuria e fituar duke abuzuar me postin në pushtet është krim, sepse ajo pasuri nuk është e fituar, por thjesht e vjedhur nga qeveria e që indirekt e vjedhur nga djersa e popullit. Është e pamundur të gjejmë shembuj që deputeti ynë apo ministri ynë të ketë dhënë dorëheqje nga posti i tij për shkak të ndonjë oferte që iu është bërë për keqpërdorim të detyrës. Madje në vendin tonë më të riun në botë, korrupsioni dhe keqpërdorimi i postit konsiderohet normale dhe gati sa nuk është legalizuar haptas edhe me ligj. Milionerët tanë janë të dallueshëm, sepse nuk e fshehin pasurinë e tyre. Duke u nisur nga fakti se nuk e fshehin pasurinë, por prejardhjen e pasurisë e fshehin, këta pa asnjë turp me sjelljet e tyre duke imituar sheikët arabë e paraqesin pasurinë në shesh. Opinioni ynë nuk e ka të vështirë t'i di se si u pasuruan ata që para se të hynin në politikë ishin të varfër e pas katër viteve u shndërruan në milionerë. Pra, për ne nuk është problem të gjejmë prejardhjen e pasurive të shtresës së politikanëve, por është vështirë t'i dënojmë ata që u pasuruan në emër të popullit e për veti. Rasti më konkret që nuk ka nevojë për koment është Shpend Ahmeti, i cili brenda katër viteve sa sundoi në Prishtinë arriti të ndryshojë radikalisht gjendjen e tij materiale. Ky i pasur i gjeneratës së re, jo vetëm që nuk merakosët për origjinën e pasurisë së fituar krejtësisht në baza jo legale, e ka ndryshuar edhe pamjen e tij fizike pesha e të cilët iu shumëfishua brenda katër vitesh dhe që ka filluar t'ia rrezikojë edhe jetën. Shpend Ahmeti, kryetar i qytetarëve të Prishtinës kësaj radhe më vota të vjedhura, dikur ishte me gjendje të mesme, i cili jetonte me babain e tij tanimë të ndjerë Aliun. Aliu ishte një aktor i mirë dhe nuk kishte ambicie për t'u pasuruar siç nuk kishte pjesa dërmuese e popullit tonë të robëruar. Shpend Ahmeti përveçqë u pasurua shumë shpejt me para, ai u pasurua edhe nga shëndeti, por që mbipesha po ia keqësonte gjendjen shëndetësore, andaj detyrohet të shkojë në Belgjikë për të hequr peshë. Në Belgjikë shkojnë një numër i madh aktorësh kosovarë për të hequr peshën trupore, por që as kjo nuk u ndihmon nëse këta vazhdojnë të ushqehen si shtazët. 

Po shuhen ëndrrat e rinisë sonë Që nga paslufta e këtej, askush nga politikanët nuk e bëri hapin e parë që në Kosovë të hapin fabrika. Hapja e fabrikave do t'iu ndihmonte më shumë që pasurinë e tyre të fituar ilegalisht të shndërrojnë në mjete materiale të fituar legalisht. Madje hapja e fabrikave do të punësonte qytetarët dhe do të rregullohej standardi. Në të kundërtën këta jo vetëm që nuk ndërtojnë, por fabrikat e dikurshme i shitën për t'u mbyllur përgjithmonë. Është absurde të shitet e të mbyllet një fabrikë si "Ballkani" më renome evropiane e shumë fabrika të tjera në mbarë Kosovën. Është e pa imagjinueshme të shitet e të mbyllet Fabrika e Amortizatorëve e trualli i saj përdorët për destinacion privat e me hekurat e saj të paguhej blerja e fabrikës. Klasa jonë politike është duke vepruar qëllimisht për ta varfëruar skajshmërisht popullin tonë. Ne nuk mundemi të përmirësojmë standardin jetësor duke ndërtuar ndërtesa shumëkatëshe, duke blerë mallra nga Serbia e pa prodhuar asgjë. Sa më shumë të importojmë mallra nga jashtë, ne e varfërojmë popullin dhe ekonominë tonë. Përveç produkteve që nuk kemi mundësi t'i prodhojmë vetë, ne importojmë edhe prodhimet bujqësore gjë që është për t'u habitur kur vendi ynë është i njohur si tokë pjellore dhe e begatshme. Qeveritë tona ia kanë pamundësuar fshatarit tonë që të punojë tokën, sepse milionerët tanë të politikës fusin mallra të skaduara nga Serbia më çmime të ulëta. Fshatarit tonë nuk i lejohet mbrojtja e prodhimeve bujqësore, sepse konkurrenca është e pa barabartë. Futja e Kosovës në një kolaps ekonomik siç jemi aktualisht është rezultat i klasës politike disavjeçare, ku secili garon për të vjedhur sa më shumë për interesa personale dhe të klanit të tij mafiozo-politik. Për të dalë nga kjo krizë duhet një vullnet dhe punë titanike , por që në horizontin tonë nuk ka shenja drite për një shpresë të re. Nuk ka shenja për një përmirësim të mirëqenies së jetës në Kosovë, ku të diplomuarit tanë do t'i priste vendi i punës. E vetmja shpresë është liberalizimi i vizave ku rinia jonë ende është duke ëndërruar të largohet nga Kosova, sepse atdheu i tij nuk i ofron as kushtet elementare për të jetuar me dinjitet. Liberalizimi i vizave duhet parë si zbrazje të Kosovës e jo si shpëtim, mirëpo për rininë tonë kjo është e vetmja perspektivë. Asnjë i ri nuk ka dëshirë të ndahet nga prindërit për të jetuar mijëra kilometra më mallin për vëllain e motrën, por s'ka alternativë tjetër. Asnjë i ri nuk ka dëshirë të ndahet nga e dashura apo i dashuri i saj, për të mos u takuar kurrë më si dikur, mirëpo klasa politike ua ka shuar të gjitha ëndrrat e dashurisë dhe jetës bashkëshortore. 

KLASA JONË POLITIKE ËSHTË DUKE VEPRUAR QËLLIMISHT PËR TA VARFËRUAR SKAJSHMËRISHT POPULLIN TONË