Politikat italiane dhe e ardhmja e Evropës

Politikat italiane dhe e ardhmja e Evropës
  • 17 April 2018 - 11:34

Partitë tradicionaliste socialdemokrate i kanë injoruar më së shumti partitë e reja rebele

Shkruan: Jeffrey D. Sachs 

Më shumë se kurrë më parë, BE-ja ka nevojë për unitet për të konfirmuar vlerat dhe interesat e saj në një epokë kur udhëheqja botërore e SHBAsë është në prag të kolapsit, Kina po ngrihet dhe Rusia po luhatet sërish mes bashkëpunimit dhe konfrontimit me BE-në. E ndarë, BE-ja mund të jetë vetëm një spektator i pashpresë përballë tronditjes gjeopolitike. E bashkuar, BE mund të luajë një rol kritik botëror, për shkak se ajo në mënyrë unike kombinon mirëqenien, demokracinë, vlerat mjedisore, inovacionin dhe drejtësinë shoqërore. Dhe nëse BE rifiton unitetin për këtë qëllim apo zhytet në kaos, kjo do të varet tani nga çfarë ndodh në Itali. Roli ndryshues i Italisë vjen nga pozicioni i saj në mes të ndarjes gjeografike mes mirëqenies në Evropën veriore dhe krizës së Evropës jugore si dhe ndarjes intelektuale dhe emocionale mes Evropës së hapur dhe asaj të mbërthyer nga nacionalizmi, paragjykimi dhe frika. Italia gjendet gjithashtu edhe në mes të ndarjes politike ku partia e re dhe në ngritje, Pesë Yjet, ka zënë qendrën e skenës politike me partinë e ekstremit të djathtë anti-emigrante dhe anti BE, Liga si dhe me partinë pro-BE, por shumë të dobësuar të qendrës së majtë, Partia Demokratike. Rebelët e Pesë Yjeve dolën të parët në zgjedhjet parlamentare të 4 marsit duke fituar plot 33% të votave, në krahasim me 19% të Demokratëve dhe 17% të Ligës. Komplikimet që rrjedhin nga fitorja e fortë e Pesë Yjeve janë një temë e nxehtë debati në Itali dhe gjetkë nëpër Evropë.

Masat e kursimeve Nëpër të gjithë BE-në, partitë tradicionale të qendrës së majtë dhe qendrës së djathtë janë duke humbur vota. Njësoj si në Itali, partitë nacionaliste anti-BE të tilla si Lidhja po fitojnë vota ndërsa kryengritësit antiestabilishment të tilla si Pesë Yjet, apo Podemos në Spanjë e Syriza në Greqi - kanë fituar pushtetin ose janë pranë të qenit në pushtet duke mbajtur pozicionin e tretë kyç në raport me partitë kryesore pro BE dhe anti-nacionaliste. Ka tri arsye për ndryshimin e politikës në Evropë. E para, e ndoshta ajo që është njohur më pak, është një gjeneratë politike shkatërrimtare të jashtme të SHBAsë në Lindjen e Mesme dhe në Afrikë. Pasi Lufta e Ftohtë përfundoi më 1990, SHBA dhe aleatët e saj lokalë u përpoqën të krijonin hegjemoni politike dhe ushtarake në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut përmes luftërave të udhëhequra nga SHBA për ndryshime regjimesh në Afganistan, Irak, Siri, Libi dhe gjithkund tjetër. Rezultati i kësaj ka qenë dhuna kronike dhe jostabiliteti, i cili ka krijuar flukse masive migruese në Evropë dhe ka tronditur politikën në vende të ndryshme të BE-së njëri pas tjetrit. Arsyeja e dytë është investimet e pakta në Evropë, veçanërisht nga sektori publik. Në kohën e ish-ministrit të Financave, Wolfgang Schauble, një Gjermani e vetëkënaqur dhe ekonomikisht e suksesshme bllokoi rritjen ekonomike të ushqyer nga investimet në të gjithë Evropën dhe e ktheu eurozonën në një burg për borxhlinjtë siç qe rasti i Greqisë, dhe në një zonë jo frymëzuese të ngecjes për pjesën më të madhe të Evropës jugore dhe lindore. Ndërsa politika ekonomike e BE-së u kufizua te masat e kursimeve, nuk është e vështirë të shihet se pse populizmi ka zënë rrënjë. Arsyeja e tretë është strukturore. Evropa Veriore ka novacione, ndërsa ajo Jugore dhe Lindore në përgjithësi nuk kanë ose së paku nuk kanë novacione në të njëjtën masë. Italia shtrihet në të dyja anët e Evropës: një veri dinamik dhe një jug në sëmundje kronike. Kjo është një histori e vjetër, por edhe një histori që vijon. Ajo ndihmon të shpjegohen limitet e politikës së BE-së. Lëvizja Pesë Yjet doli triumfuese në zgjedhje veçanërisht në jug.

Udhëheqësit e Evropës duhej të ishin shumë më energjikë në Kombet e Bashkuara Preferenca ime politike është demokracia shoqërore. Unë ia vë fajin konservatorëve si Schauble përgjegjës për cytjen e votuesve drejt partive populiste. Megjithatë shumë tepër udhëheqës socialdemokratë vijuan në heshtje të punojnë me Schauble. Unë ia vë gjithashtu fajin kancelares Angela Merkel dhe udhëheqësve të tjerë të Evropës për shkak se kanë dështuar të flasin mjaftueshëm fort kundër luftërave të udhëhequra nga SHBA në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut. Udhëheqësit e Evropës duhej të ishin shumë më energjikë në Kombet e Bashkuara në kundërshtimin e politikës hegjemoniste të Amerikës në Lindjen e Mesme, me pasojat e saj katastrofike, përfshirë zhvendosjen masive dhe lëvizjen e refugjatëve. Mbështetësit e një BE-je të fortë dhe të gjallë - dhe unë jam bindshëm mes tyre - duhet të nxisin partitë kryengritëse të bashkojnë forcat me partitë e dobë- suara tradicionale social-demokrate në mënyrë që të promovojnë zhvillimin e qëndrueshëm, inovacionin dhe rritjen e nxitur nga investimet si dhe për të bllokuar koalicionet anti-BE. Ose, si në Gjermani, ata duhet të nxisin koalicione të mëdha të partive të qendrës së djathtë me ato të qendrës së majtë dhe që këto të fundit të jenë koalicione më dinamike dhe të orientuara nga investimet në shkallë mbarë-evropiane, si për hatër të logjikës ekonomike ashtu edhe për të luftuar nacionalistët e ekstremit të djathtë. Ose, siç ndodhi në Francë, ata duhet të përshëndesin bashkimin e tradicionalistëve pro-BE dhe kryengritësve në sloganin e presidentit Emmanuel Macron "La Republique En Marche!" Grupime të tilla pro-BE i japin BE-së kohën e nevojshme për reformimin e institucioneve të saj, për ngritjen e një politike të jashtme të përbashkët dhe për fillimin e një rritjeje ekonomike të mbështetur te investimet dhe novacionet në vend të masave të kursimit dhe të vetëkënaqësisë. Partitë tradicionaliste social-demokrate i kanë injoruar më së shumti partitë e reja rebele, duke i parë ato si populiste, të papërgjegjshme, oportuniste dhe të pandershme. I tillë është këndvështrimi i demokratëve në Itali, politikanët kyçë të të cilëve refuzojnë idenë e një koalicioni me Pesë Yjet. Kjo është e kuptueshme: fillestarët i mposhtën në tërësi demokratët në votime, shpesh me premtime të stërmëdha populiste. Megjithatë socialdemokratët kanë qenë të dobët e madje edhe të heshtur përballë masave të kursimit të stilit Schäuble si dhe luftërave të papërgjegjshme të udhëhequra nga SHBA. Partitë tradicionale socialdemokrate do të duhet të rifitojnë dinamizmin e tyre si dhe urinë për të ndërmarrë rreziqe në mënyrë që të fitojnë në votime si parti të vërteta progresive. Loja në Itali është e rëndë. Ndërsa Evropa është politikisht dhe gjeografikisht e ndarë, politika në Itali mund të kthejë anën e peshores. Një qeveri pro-BE-së në Itali e qeverisur nga Pesë Yjet dhe Demokratët mund të bashkohet me Francën dhe Gjermaninë për të reformuar BE-në; BE-ja mund të rifitojë pas kësaj një zë të qartë në politikën e jashtme krahas SHBA-së, Rusisë dhe Kinës; dhe BE mund të zbatojë një strategji për rritje ekonomike mjedisore me bazë në novacione. Për të farkëtuar një koalicion të tillë, Lëvizja Pesë Yjet do të duhet të miratojë një program ekonomik të përgjegjshëm dhe të përkufizuar qartë dhe Demokratët do të duhet të pranojnë se janë forca e vogël në një koalicion me një parti të pa testuar kryengritëse. Një çelës kyç për besim të ndërsjellët mund të jetë që Demokratët të mbajnë ministrinë kyçe të financave ndërsa Lëvizja Pesë Yjet të ketë postin e kryeministrit. Nuk është surprizë që Stephen Bannon, ish-këshilltari thellësisht i pamatur i presidentit të SHBA-së Donald Trump, nxitoi të shkojë në Itali për të nxitur lëvizjen Pesë Yjet dhe Ligën për të krijuar një koalicion të cilin ai e quajti "ëndrra më e madhe", për shkak se një koalicion i tillë mund ta shkatërrojë BE-në. Kjo në vetvete duhet t'ua rikujtojë italianëve rëndësinë e një koalicioni pro-BE i cili duhet të hedhë poshtë frikët e tilla.