Paaftësia dhe diplomacia e dështuar e Kosovës

Paaftësia dhe diplomacia e dështuar e Kosovës
  • 15 January 2019 - 08:54

Shkruan: Ali Kelmendi

 Nga na vijnë në të vërtetë ( në thelb) këta shqiptarët?", kishte pyetur Otto von Bismarck, kancelari gjerman në konferencën mbi Ballkanin në Berlin më 1878. Mirëpo, diplomati shqiptar Abdyl Frashëri iu kishte përgjigjur:" Ne jemi një mizë e vogël, e cila ua përdredh barkun (pështjell zorrët) të tërë botës". Marrë nga profesori universitar Marc Stegherr në librin "NDARJA NGA DJEPI i SERBIANIZMIT". Po vazhdoj me pikëpamjet serbe mbi shpalljen e pavarësisë së Kosovës: "Ndoshta mjafton në demokracitë e zhvilluara perëndimore, të bindet shoqëria në fjalë për zbatimin e së drejtës, dhe mundësinë që njëkohësisht të njëjtën ta rrënojnë. Por realiteti kosovar, për të cilin flitej aq shumë në çarqe të ndryshme të përfaqësuesve të Pavarësisë së Kosovës, tregon që 16.000 ushtarë të huaj të KFOR-it nuk patën sukses ta mbrojnë, as jetën e serbëve, dhe as monumentet kulturore, të cilat ngelen në vullnetin e shqiptarëve për mbrojtjen e tyre, të te cilat z. Ahtisari i kishte formuluar në propozimin e tij", shkruante Ivana Jankoviq në "NIN" 21 shkurt 2008. "Të dielën, më 17 shkurt 2008 pëlcet bomba. Kjo pritej nga raportet dhe lajmet e ditëve të mëparshme. Vendi para Asamblesë, i cili ishte menduar si "Tubim" provizor, por megjithatë duhej të bëhej Parlament i një shteti të ri duke u shndërruar në një det me flamuj shqiptarë. Ajo se çka luhej në Provincën jugore nuk kishte të bënte me dinjitetin serb. Ishte një politikë amerikane e të fortit duke u qeshur gjakftohtë dhe mosrespektuar të drejtat e popujve dhe Kombeve të Bashkuara, kur ishte fjala për shërbimet e qëllimeve të tyre politike dhe ekonomike. Evropa dukej se ishte e pavetëdijshme për të ardhmen e vet, për pasojat katastrofale me njohjen e Kosovës". Pasuesi i Fronit Aleksandër Karagjorgjeviq e quante 17. Shkurtin 2008, një ditë në historinë e Evropës si " Ditë turpi " Atë ditë Evropa e shkeli fytyrën e vet, e turpëroi historinë e vet, dhe tregoi se në organizmin e vet do ta bartë virusin e shkatërrimit të vet ! "Amerika atë ditë hoqi dorë nga Xhorxh Uashingtoni, Linkolni dhe Uilsoni. Jo vetëm që Serbia u shkatërrua dhe u rrëzua përtokë, por u shkatërrua edhe ideja e një botë pa dhunë, një Evropë pa unitet, një shoqërie pa barazi të ligjeve të së drejtës dhe se vërtetës. U shkatërruan të të gjitha rregullat e përgjithshme të pranuara të së drejtës ndërkombëtare, është krijuar përfundimisht pjesa e projektit të Musolinit dhe Hitlerit, në tokën e Serbisë! Por, këto ndodhi nuk mund t'ua hedhim shqiptarëve, por atyre që i mbështetën, i njohën i nxitën dhe i financuan". Mitet serbe Presidenti serb Boris Tadiq deklaronte : " Unë dua t'ju kujtoj që shqiptarët me dekada para Milosheviqit kishin kërkuar Pavarësinë dhe kanë qenë gjithnjë aktivë dhe kanë punuar për ndarjen e Kosovës nga Serbia". "Do t'i përdorim të gjitha mjetet politike dhe diplomatike që t'ia kthejmë Kosovën Serbisë, njoftonte kryeministri Koshtunica si dhe kundërshtari i tij presidenti Tadiqi, i cili gjithnjë theksonte : " Për qytetarët e Serbisë dhe institucionet e saj, Kosova do të mbetet gjithmonë e Serbisë ! [...] Serbia nuk do ta njohë kurrë Pavarësinë e Kosovës ". Mitropoliti Amfilohije në një fjalim thoshte, dhe shpresonte, më së paku njëherë të fitojë arsyeja mbi paarsyen, dhe kërkonte nga Perëndimi të mendojë për pasojat e vendimeve të marra për Kosovën, dhe apelonte në Vatikan si qendër e krishterimit perëndimor për ta penguar shkatërrimin e krishterimit ortodoks serb në Kosovë." Vjedhja e Kosovës së krishterë nga ne serbët është e paarsyeshme dhe e pakuptimtë". Ndërsa, Ipeshkvi katolik shqiptar Dodë Gjergji, administrator apostolik nga Prizreni iu kishte përgjigjur Mitropolitit serb lidhur me shprehjet e tilla të pakuptimta dhe me vështirësitë përbrenda ortodoksisë serbe. "Ky thoshte se ato shprehje le të jenë të mbërthyera në mitologjinë historike serbe. Në kohën osmane kisha ortodokse serbe kishte qenë e privilegjuar [...], ndërsa Kisha katolike shqiptare kishte martirët e vet. Banorët e Kosovës qofshin myslimanë ose katolikë, para së gjithash janë shqiptarë". Marrë nga Tages Post, 29 prill 2008 nr.52/53, f,3. Reagimet serbe për shpalljen e Pavarësisë, ipeshkvi ynë Dodë Gjergji i quante si shenjë rezistuese dhe refuzim i Pavarësisë së Kosovës. Pa çare më duhet ripërsëritur, për deputetët - aktorët tanë tragjiko - komikë qeveritarë, që njëherë tradhtuan shtetin dhe popullin e vet duke i tjetërsuar dhe shitur 8.270 hektarë të Rugovës kreshnike Malit të Zi në marsin e vitit që shkoi, me një amanet të bablokut dr. Ibrahim Rugova, më 10 gusht 1999 siç vijon: "Serbët, pas kësaj lufte dhe masakrave të kryera nga policia speciale dhe njësitë paramilitare, nuk kanë asnjë të drejtë më në Kosovë. Asnjë ushtar jugosllav nuk do të shkelë më në Kosovë. Edhe në policinë e ardhshme të Kosovës do të integrohen vetëm serbë lokalë. Ne do të akceptojmë një Serbi demokratike fundi i fundit si një shtet fqinj". Jemi në situatë të volitshme Duhet kujtuar edhe porosinë e James Rubin-it: "Ju krahu i luftës është mirë që të lëshoni pushtetin ngadalë dhe të shkoni në shtëpi, nëse dëshironi të merrni me vete pak nder që ju ka mbetur akoma…" Të nesërmen, pas shpalljes së pavarësisë, më 18 shkurt 2008, Presidentit të Kosovës së Pavarur, Fatmir Sejdiut i kishte arritur Njohja e parë - Letra nga Presidentit amerikan George W. Bush, i cili në emër të popullit amerikan e njihte Kosovën dhe e përshëndeste Vullnetin e shtetit të ri, që të arrijë standardet më të larta të Demokracisë dhe Lirisë, dhe t'u qëndrojë besnik Principeve të Multietnicitetit. […]". Më pastaj vazhdojnë njohjet e shteteve tjera. Sot në vitin 2019 jemi këtu ku jemi; në një situatë të palakueshme, të pavolitshme dhe të paqartë për shtetin tonë të njohur së pari nga Gjykata Ndërkombëtare me kufijtë administrativë, me integritetin e sovranitetin e shënuar edhe në Kushtetutën tonë, dhe njohjen e më shumë së 120 shteteve nga mbarë bota. Fatkeqësisht, me paaftësinë e lidershipit dhe diplomacisë sonë kosovare kemi hyrë në bisedime dhe dialogë si në " lojërat e fatit" me Serbinë dhe ndërmjetësimin e Parlamentit Evropian. Në këtë dialog janë emëruar nga Kuvendi ynë po të njëjtit njerëz të të cilëve" njëherë u ka kaluar miu nëpër mustaqe" kur e humbën sovranitetin me kufirin me Malin e Zi. Prej këtyre nuk pritet më shumë. Pritet dhe shpresojmë në miqtë tanë të përjetshëm siç deklaronte President ynë historik Ibrahim Rugova, me amerikanët,gjermanët, anglezët dhe shpresojmë edhe nga francezët etj.

(Kosova Sot)