Federata e Futbollit e Kosovës do të bëhet me seli moderne

  • 19 February 2019 - 17:03
Federata e Futbollit e Kosovës do të bëhet me seli moderne

Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), përfundimisht do ta ketë selinë e vet moderne, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për aprovimin e pronës së saj në zonën kadastrale në Prishtinë.

Qeveria e vendit vendosi ta aprovojë shpronësimin për interes publik të pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit, duke ia mundësuar FFK-së ndërtimin e një selie moderne.

“Qeveria e Kosovës ka marrë sot vendimin përfundimtar për aprovimin e shpronësimit për interes publik të pronave të paluajtshme (ish-shoqërore) të pronarëve dhe zotëruesve të interesit, të cilat preken nga realizimi i projektit “Renovimi dhe ndërtimi i objekteve për nevoja të selisë qendrore të Federatës së Futbollit të Kosovës”, në zonën kadastrale në Prishtinë”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Presidenti i shtëpisë së futbollit kosovar, Agim Ademi, e ka falënderuar Qeverinë e Kosovës për marrjen e këtij vendimi, duke thënë se kjo ka qenë njëra nga çështjet jetike për zhvillimin e FFK-së.

“Federata e Futbollit e Kosovës falënderon për përkrahje të vazhdueshme të gjitha institucionet, duke filluar nga presidenti, kryeministri, kryeparlamentari e ministri i sportit, por edhe për bashkëpunim shumë të mirë të gjithë kryetarët e komunave, ngase në këtë mënyrë po mundësohet krijimi i kushteve më të mira të infrastrukturës për rininë tonë, e cila është e mishëruar me futbollin”, ka thënë Ademi. 

 

(Kosova Sot)