Reagon familja Gërvalla: Klani i Isa Mustafës nëpërkëmbi dinjitetin e vajzës sonë

  • 21 May 2016 - 15:27
Reagon familja Gërvalla: Klani i Isa Mustafës nëpërkëmbi dinjitetin e vajzës sonë

Familja e kryetares së degës së LDK-së në Gjermani, Donika Gërvalla, ka reaguar për e djeshëm që ndodhi jashtë sallës ku po mbahej mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, kur iu ndalua hyrja në sallë Donika Gërvallës, e cila u largua me dhunë nga personat e sigurimit fizik.

Hysen Gërvalla, vëlla i Jusuf dhe Bardhosh Gërvallës, thotë se “ky incident jo vetëm që ka nëpërkëmbur dinjitetin njerëzor të vajzës sonë, por është edhe një sulm i rëndë kundër fjalës dhe mendimit të lirë, të cilat janë vlera themelore dhe universale të një shoqërie demokratike, për të cilën trumbeton se po punon vetë klani i Mustafës”, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Lexoni reagimin e plotë të familjes Gërvalla: 

Familja jonë Gërvalla në Kosovë, në Shqipëri dhe në diasporë jemi tepër të shqetësuar për incidenti e mbrëmshëm që i ka ndodhur vajzës sonë, Donika Gërvalla, nga struktura klanore e Isa Mustafës, kryetar i LDK-së.

Bija jonë mbrëmë po insistonte të merr pjesë në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, si kryetare e degës së kësaj partie në Gjermani.

Elementë të klani të Mustafës, duke e ditur qëndrimin e Donikës për t’ia kthyer dinjitetin kombëtar kësaj parti, ashtu si e kishte në kohën e dr. Ibrahim Rugovës, jo vetëm që nuk e kanë lënë të marrë pjesë në mbledhje, por fizikisht, duke e tërhequr zvarrë, nuk e kanë lënë të hyjë në sallë.

Ky incident i parapërgatitur, tepër i rëndë jo vetëm për një femër, na e ka kujtuar kohën e regjimit pushtues serb, për të cilën ka luftuar e tërë familja jonë, duke dhënë madje edhe dy heronjë.

Ky incident jo vetëm që ka nëpërkëmbur dinjitetin njerëzor të vajzës sonë, por është edhe një sulm i rëndë kundër fjalës dhe mendimit të lirë, të cilat janë vlera themelore dhe universale të një shoqërie demokratike, për të cilën trumbeton se po punon vetë klani i Mustafës. Këto vlera qytetëruese, për të cilat punon bija jonë, janë shkelur aq brutalisht në kohën kur e tërë bota ka sytë të kthyer kah shoqëria jonë dhe nga të gjitha veprimtaritë shtetndërtuese të kësaj fryme.

Ne si familje me tradita kombëtare me frymë të mendimit të ri shtetëror, kombëtare dhe demokratik, e dimë mirë se kjo frymë është në kundërshtim të thellë me ideologjinë të komunizmit sllav, të cilën e ka në shpirt, si tani, si më herët, e njëjta strukturë që ka sulmuar vajzën tonë, ashtu si ka sulmuar edhe tani edhe më parë vlerat e lirisë të Kosovës, duke përfshirë të gjitha lëvizjet kombëtare dhe çlirimtare, prej viteve të ’80-ta e deri më sot.

Ne familja Gërvalla, por edhe shoqëria jonë në përgjithësi, do të mbështesim edhe më tutje mendimet dhe veprimet, që kanë vlera kombëtare, shtetërore dhe demokratike, kundër të cilave ka ndodhur ky incident. Vetëm me këto vlera mund të shkojmë përpara për të ndërtuar shtetin dhe shoqërinë demokratike, në të cilën ka vend shprehja e mendimit të lirë, e pranueshme për tërë qytetërimin evropian dhe botëror.

Edhe diçka Isë: Në identitetin tonë kombëtar dhe ate historik, femra ka qënë instutucion
dhe vlerë e paprekshme e shoqërisë sonë.

Isë, siç e di edhe ti, familja jonë gjatë gjithë historisë është persekutuar, bastisur, kontrolluar, burgosur, syrgjynosur, terrorizuar me qindra herë nga UDB-ja serbe dhe ajo Jugosllave, por edhe ata asnjëherë nuk kanë zbritur në nivelin tënd dhe të klanit tuaj.

Dubovik, 21 maj 2016
Për familjën GËRVALLA
Hysen Gërvalla

(Kosova Sot)