Proces jotransparent i dhënies së subvencioneve

  • 30 June 2016 - 13:23
Proces jotransparent i dhënies së subvencioneve

Raporti i Auditorit të Përgjithshëm në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë

ZAP: MTI-ja është duke u përballur me vështirësi në menaxhimin e stafit

"Dhënia e subvencioneve pa shpallje publike dhe pa kritere të qarta eliminon konkurrencën, mundëson subvencionimin e përfitueseve të papërshtatshëm, si dhe rrit rrezikun e shpenzimit të parasë publike në mënyrë joracionale", thuhet në raportin e Auditorit të Përgjithshëm

Raporti i kryer i Auditorit të Përgjithshëm, për Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë për vitin 2015, ka gjetur një varg parregullsish në shpenzimin e buxhetit të taksapaguesve. Sipas raportit, nga 22 rekomandime që ishin dhënë për 2014, deri në fund të auditimit për vitin 2015, 16 rekomandime janë implementuar plotësisht, pesë (5) janë adresuar pjesërisht dhe vetëm një (1) nuk ishte adresuar fare. Auditimi tregon se ekzistojnë dobësi në sisteme të rëndësishme financiare, përfshirë, subvencionimin, pasurinë dhe personelin. "Ministrja duhet ta aplikojë një vlerësim të detajuar të fushave me mangësi të theksuara në këtë raport për t'i identifikuar arsyet për paraqitjen e dobësive, si dhe veprimet e nevojshme për t'i adresuar ato", thuhet në raportin e Auditimit. Sipas ZAP-it, ekzistojnë ende disa mangësi në qeverisjen e MTI-së, në veçanti mangësitë në lidhje me menaxhimin e burimeve njerëzore për faktin se transferet e punëtorëve në pozita të ndryshme nga kabineti i kaluar në MTI, ka rezultuar me numër të lartë të zyrtarëve në procedura ankimore. "Dobësitë e vazhdueshme të kontrolleve të menaxhmentit dhe kontrolleve të tjera në sistemet financiare kanë rezultuar në mangësi në fushën e pasurisë, personelit dhe të hyrave të përsëritura vit pas viti. MTI-ja nuk ka krijuar një listë me rreziqe, që identifikon pengesat e mundshme krahas përmbushjes së objektivave. Si rrjedhojë, MTI-ja është duke u përballur me vështirësi në menaxhimin e stafit në disa pozita kyçe, të cilat janë duke funksionuar me ushtrues detyre për periudha 3-mujore. Një ndër këto është edhe pozita e sekretarit të përgjithshëm e që ka një rol kyç në përmbushjen e objektivave të organizatës", thuhet në raportin e Auditimit, shkruan sot gazeta "Kosova Sot".

Vonesa në kryerjen e punëve deri në 7 muaj

Po sipas ZAP-it mësohet se shpenzimet e prokurimit për vitin 2015 ishin rreth 1.2 milion euro. "Bazuar në kontratat e lidhura në mes të MTI-së dhe Operatorëve Ekonomikë (OE), MTI-ja ka të drejtën e aplikimit të ndëshkimeve, nëse ka vonesa në realizimin e kontratës. Në dy (2) kontrata, të cilat ishin të vitit 2014, kishte pasur vonesa në kryerjen e punëve deri në shtatë muaj. Në kontratën për "Riparimin e Objektit të MTI-së", MTI-ja nuk kishte aplikuar fare ndëshkimet për vonesa në dy situacionet e fundit në vlerë prej 24,089 eurove. Përderisa, në kontratën tjetër për "Ndërtimin e impiantit për pastrimin e ujërave të zeza dhe industrial të PBD-së", MTI-ja nuk kishte aplikuar ndëshkimet vetëm për situacionin e katërt në vlerë prej 36.635.88 euro", thuhet në raport. ZAP-i ka bërë vërejtje në menaxhimin e burimeve njerëzore dhe mosharmonizimi i koeficienteve me pozitat përkatëse. "Në 6 raste asistentët administrativë paguhen me koeficient 5, ndërsa në 3 raste me koeficient 6. Ndërsa në 4 raste të punësuarit si zyrtarë paguhen me koeficient 6, në 4 raste me 7.5, ndërsa në 41 raste paguhen me koeficient 7. Kurse në 4 raste zyrtarët e lartë paguhen me koeficient 7, në 3 raste me koeficient 7.5, ndërsa në 32 raste me koeficient 8, dhe në 1 rast udhëheqësi i sektorit paguhet me koeficient 7, në 5 raste me koeficient 9, ndërsa në 3 raste me koeficient 8. MTI-ja në tri raste, ministria ka paguar zyrtarët, të cilët kanë përfituar nga ky fond edhe për periudhën kur zyrtarët kanë qenë ushtrues detyre të pozitave të caktuara. Këto lëshime ishin si rezultat i dhënies së fondit për kuadro në fund të vitit", thotë raporti i ZAP-it. Sipas tij, MTI-ja, përkatësisht KIESA, nuk ka një proces transparent të dhënies së subvencioneve, nuk ka kritere për të përcaktuar se kush ka përparësi në përfitimin e subvencioneve, si dhe nuk bën shpallje publike për shprehje interesi nga ana e OJQ-ve. "Kjo mangësi është vërejtur në pesë raste, ku nuk kishte kritere të përcaktuara dhe shpallje publike për aplikantët. Dhënia e subvencioneve pa shpallje publike dhe pa kritere të qarta eliminon konkurrencën, mundëson subvencionimin e përfitueseve të papërshtatshëm, si dhe rrit rrezikun e shpenzimit të parasë publike në mënyrë joracionale. Ndërsa, nënshkrimi i kontratës para zotimit të fondeve rrit rrezikun e hyrjes në obligime, pa pasur mjete për pagesën e tyre', thuhet në raportin e Auditimit.

Vonesa në aprovimin e kërkesave nga konsumatorët

Nga vërejtjet e tjera të Auditimit, specifikohet që zyra për patenta duhet të nxjerrë vendimin pas afatit prej tetëmbëdhjetë (18) muajve nga data e dorëzimit të aplikacionit. "Sipas MTI-së, arsyeja e vonesave në shqyrtimin e kërkesave ishte pasojë e trashëgimit të një numri të madh të lëndëve-kërkesave nga vitet e kaluara. API-ja kishte marrë 52 vendime për patenta, por ato ishin marrë me vonesa të konsiderueshme. Këtë vit ishin nxjerrë vendime, për të cilat kërkesat janë para 7 vitesh (1 rast), para 5 vitesh (11 raste), para 4 vitesh (30 raste), si dhe para 3 vitesh (9 raste). Vonesat në aprovimin e kërkesave për patenta janë rrezik për shërbim joefikas ndaj subjekteve afariste dhe shkaktojnë dëme buxhetore nga mosgrumbullimi i të hyrave me kohë", thuhet në raportin e Auditimit. 

(Kosova Sot)