"Ëndrra amerikane nuk mund të ndalet nga muret "

  • 29 July 2016 - 20:29

Amerika nuk ka pasur president më të përgatitur sesa Hillary.

"Sonte kërkoj nga ju që ta bëni për Hillary Clinton-in atë që e keni bërë për mua", ka thënë ai,raporotn Gazeta Kosova Sot

Hillary Clinton doli në skenë mbrëmjen e së mërkurës, derisa presidenti i SHBA-së, Barack Obama, ishte në fund të fjalimit të tij në Konventën Nacionale të Partisë Demokratike. Presidenti dhe rivalja e tij e dikurshme, me të cilën tashmë ka një miqësi të padiskutueshme, e kanë përqafuar njëri-tjetrin para se të bënin paradë në skenë në fund të natës, derisa në sfond dëgjohej kënga e kampanjës së Obama-s në vitin 2008 - "Signed, Sealed, Delivered". Obama, jozyrtarisht, u tha lamtumirë mbështetësve, të cilët, para tetë vitesh i kishin ndihmuar të triumfonte, nga skena e Konventës në Filadelfia. "Jam i gatshëm ta dorëzoj stafetën dhe ta bëj punën time si qytetar", ka thënë ai. "Këtë vit, në këto zgjedhje, kërkoj nga ju që të më bashkoheni në refuzimin e cinizmit, refuzimin e frikës dhe në përqafimin e asaj që është më e mira për ne: Përzgjedhjen e Hillary Clinton-it për presidente të ardhshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për t'i treguar botës që ne vazhdojmë të besojmë në premtimin e këtij kombi të madh". 

Lavdëron përzgjedhjen e Tim Kaine-t për zëvendëspresident Presidenti ka bërë gjithçka që ka pasur mundësi për ta unifikuar Partinë Demokratike, në përpjekjet e tij për ta drejtuar zemërimin e progresivëve nga Clinton-i në drejtim të Donald Trump-it. Ai e ka sulmuar Trump-in për planet e tij për ndërtimin e murit në kufi me Meksikën. "Hillary e di që ne mund të insistojmë në një sistem të ligjshëm dhe të rregullt të imigrimit, duke i cilësuar studentët dhe prindërit e tyre si familje të dashura, e jo si kriminelë e dhunues", ka thënë ai. "Ajo e di që ëndrra e tyre është amerikane dhe Ëndrra Amerikane është diçka që nuk mund të ndalet nga asnjë mur". Trump fryn në zjarrin e "fajësimit dhe zemërimit dhe urrejtjes", ka thënë ai. "Clinton, në anën tjetër, e ruan qetësinë dhe i trajton të gjithë me respekt". Obama e ka mbështetur edhe aftësinë e Clinton-it për të gjykuar, gjë për të cilën ka thënë se vërehet qartazi nga përzgjedhja e Tim Kaine-t për zëvendëspresident të saj. "Tim Kaine është një njeri i mirë,modest dhe i përkushtuar si shërbyes i publikut. E njoh familjen e tij. E dua Anne-n. I dua fëmijët e tyre. Ai do të jetë një zëvendëspresident i shkëlqyer", ka thënë Obama para se të shtonte: "Ai do ta bëjë Hillary-n një presidente më të mirë - ashtu siç më ka bërë mua një president më të mirë miku dhe vëllai im i dashur, Joe Biden". Teksa i është kthyer fjalimit të tij për të folur përsëri për Clinton-in, Obama ka thënë: "Hillary ka pjesën e vet të kritikëve. Ajo është kritikuar nga të djathtët dhe nga disa në të majtë. Ajo është akuzuar për gjithçka që mund t'ju shkoj në mendje, është akuzuar edhe për gjëra që nuk mund t'i çoni në mend. Mirëpo, ajo e di se kjo gjë është e pashmangshme kur je një person që ke qenë nën mikroskop për dyzet vjet. Ajo e di që gjatë këtyre dyzet vjetëve ajo ka bërë ndonjë gabim, siç kam bërë unë dhe siç bëjmë të gjithë. Kjo, sepse gabimet ndodhin kur mundohemi"

U bën thirrje mbështetësve të Sanders-it Ai më pas u është drejtuar mbështetësve të Bernie Sanders-it, duke kërkuar nga ta që të vazhdojnë të punojnë për Clinton-in me entuziazmin e njëjtë siç kanë bërë kampanjë për Sanders-in. Kjo pasi që, siç ka thënë ai, demokracia nuk është një sport i spektatorëve. Pra, në demokraci nuk ka 'po ai do ta bëjë', në demokraci ka, 'po, ne mundemi'. Ai madje e ka përsëritur mesazhin e tij, për t'u siguruar që të gjithë në sallë e kanë dëgjuar dhe e kanë kuptuar mirë se çka ka dashur të thotë. Presidenti, më tutje, duke aluduar në thënien e Trump-it që si i vetëm do t'i rregullonte problemet e SHBA-së, ka thënë: "Amerika asnjëherë nuk ka qenë për një person dhe nuk është varur nga një person. Këtu kemi të bëjmë me arritjet që mund t'i bëjmë ne, bashkërisht. Ky biznes i demokracisë di të jetë frustues, mirëpo Hillary e di, gjithashtu. Kur pala tjetër refuzon të bashkëpunojë, progresi ndalet. Njerëzit dëmtohen dhe mbështetësit e humbin durimin". Megjithatë, ka thënë ai, kur dikush është i përkushtuar për diçka, ndryshimi për të mirë vjen. E, nëse nuk më besoni, ka thënë ai, 'pyesni 20 milionë njerëzit që kanë përfituar nga kujdesi shëndetësor. Pyeteni ushtarin që i shërben këtij vendi dhe sot me krenari mund ta prezantojë bashkëshortin që e do". Obama ka një mbështetje të madhe popullore, meqë pëlqehet nga më shumë se 50 për qind e popullsisë. Imazhi i tij vetëm sa është përmirë- suar në muajt e fundit si president. E, duke e shfrytëzuar këtë simpati që ka në popull, ai po mundohet t'i ndihmojë Clinton-it, kundërshtares së tij të dikurshme, për t'u bërë presidentja e parë femër në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. "Sonte kërkoj nga ju që ta bëni për Hillary Clinton-in atë që e keni bërë për mua", ka thënë ai. "Kërkoj nga ju që ta bartni atë njëjtë qysh më keni bartur mua. Dhe, nëse e keni seriozisht kur flisni për demokracinë, atëherë dijeni që nuk mund të qëndroni në shtëpitë tuaja vetëm pse nuk pajtoheni për disa çështje me Hillary-n". Gjatë fjalimit të tij, që në raste ka qenë edhe emocional, ai ka thënë që, pa marrë parasysh sa shumë mund të keni lexuar për Shtëpinë e Bardhë, vështirësitë dhe sfidat, me të cilat presidentët ballafaqohen nuk mund të kuptohen deri në momentin kur futeni në të. Ai ka thënë që beson që Amerika nuk ka pasur president më të përgatitur sesa Hillary, 'madje as unë e as Bill-i'. 

(Kosova Sot)