Vrasjen e presidentit JFK e kreu dikush brenda ekipit të tij

  • 30 August 2016 - 20:16
Vrasjen e presidentit JFK e kreu dikush brenda ekipit të tij

Vrasja e presidentit amerikan, John F Kennedy, në vitin 1963 ishte kryer nga 'qarqet e brendshme', të paktën sipas rrëfimit të dhënë nga një ish-agjent qeveritar, në momentet e fundit të jetës. Kjo informatë i ishte dhënë regjisorit të njohur Oliver Stone. Pasi që kishte bërë filmin e tij "JFK" - i cili ishte pritur mirë nga mbështetësit e teorive të konspiracionit - Stone ishte kontaktuar nga një njeri, i cili thoshte të kishte qenë dikur anëtar i ekipit presidencial të sigurisë. Derisa ishte duke vdekur nga kanceri, ky njeri donte ta ndante një sekret, të cilin deri më atëherë ia kishte treguar vetëm të birit - se 'dikush nga vetë ekipi i tij' kishte shtënë mbi presidentin,transmetona Gazeta Kosova Sot.

 Ai dha vetëm emrin e koduar 'Ron', duke shkruar një seri letrash misterioze, derisa erdhi deri te takimi i tyre. Stone thoshte se, zakonisht, ishte skeptik rreth pohimeve të tilla, meqë kishte shumë teori konspirative të cilat ishin paraqitur pas vrasjes së presidentit Kennedy me dy plumba pushke, derisa ishte duke udhëtuar me një limuzinë të hapur në Dallas, në vitin 1963.

Dyshimet e Stone-s rreth 'Ronit' ishin zhdukur

Lee Harvey Oswald ishte akuzuar për të shtënat, gjoja se e kishte gjuajtur presidentin nga kati i gjashtë i një ndërtese, por ai u vra dy ditë më vonë nga pronari i një klubi të natës, i cili kishte lidhje me nëntokën kriminale. Që nga ajo kohë është shtruar pyetja a ishte me të vërtetë Lee Harvey Oswald vrasës i presidentit dhe, nëse po, për kë punonte ai? Kishte edhe sugjerime se, të paktën njëra nga dy të shtënat fatale, të ishte shkrepur nga afërsia. Stone, 69-vjeçar, thotë se dyshimet e tij rreth 'Ronit' ishin zhdukur. Si ish marins në Vietnam, regjisori i filmit ishte i bindur nga "zhargoni ushtarak" dhe nga detajet e mëdha që gjendeshin në rrëfimin e ish agjentit. Regjisori vendosi që t'i publikonte fjalët e ish agjentit, së pari para Matt Zoller Seitzit, i cili është autor i librit që pret të dalë, rreth Stone-it, regjisorit dhe skenaristit fitues të çmimit Oskar, ku ndër filmat e tij klasikë vlejnë të përmendet edhe filmi "Platoon", rreth traumës së luftës në Vietnam.

"Agjenti më tha se nuk donte para, e as merita"

I pyetur çka kishte pritur Stone deri më tani, Seitz tha: "Me gjasë ai më tregoi mua meqë ka besim te unë dhe për shkak se, si agjenti, po ashtu edhe biri i tij, kanë kohë që kanë vdekur. Askush më parë nuk e ka dëgjuar këtë storie. Unë jam i pari". Stone bashkëpunoi me librin duke u shprehur i gatshëm që të intervistohej, duke i dhënë Seitz-it qasje të lirë në arkivin e tij të madh. Libri sjell rrëfimet e Stone-it rreth takimit me 'Ronin'. Në një pasazh, ai thotë se nuk kishte motive të tjera: "Ai më kontaktoi me anë të disa letrave bizare. Ai i dërgonte letrat nga Bermuda. Skenari që bëri ai ishte shumë praktik, të tillë do ta bëja edhe unë". Duke e rikujtuar takimin e tyre në një hotel në Roçester, Nju Jork, Stone thotë: 'Agjenti më tha se nuk donte para, e as merita. Thjesht, donte ta qetësonte ndërgjegjen e vet'. 'Ti e vret presidentin dhe mbulesa jote është aparati i sigurisë, pasi që snajperisti fshihej në mesin e njerëzve që do të duhej ta mbronin presidentin, të cilët nuk kishin dijeni për këtë krim. Kjo duket logjike. Dhe, kujtimet e tij ishin aq teknike, të mbushura me zhargon ushtarak, me detaje rreth komunikimit me radio, menjëherë pas vrasjes së presidentit". Seitz thekson se, derisa Stone shërbente në Vietnam, ai kishte marrë pjesë në atë që quan zona të vrasjeve të koordinuara. Libri me titull "The Oliver Stone Experience" do të botohet më 13 shtator nga "Abrams & Chronicle".

(Kosova Sot)