Stërzgjatja e punimeve mbi plato rrezikon jetën e fëmijëve

  • 29 September 2016 - 16:37
Stërzgjatja e punimeve mbi plato rrezikon jetën e fëmijëve

Përveç humbjeve në biznes, ka pluhur e pasiguri për të vegjlit

Baki Gashi: Djali im ka rënë dy metra poshtë, ka pësuar lëndime e trauma

"Në gjithë sezonin veror, në këtë plato kanë punuar një numër i vogël punëtorësh, çka do të thotë se të gjitha bizneset e kësaj platoje kanë dështuar. Punimet që janë kryer dhe janë duke u kryer pothuajse më shumë janë kozmetike dhe estetike sesa cilësore. Izolimi i vjetër ka qenë më i mirë se i riu”, është shprehur Safet Kamberaj, kryetar i lagjes “Dardania”

Pronarët e bizneseve, si dhe kalimtarët e rastit, shprehin mllefin e tyre, në lidhje me zvarritjen e punimeve në platonë e “Kurrizit” në lagjen “Dardania” të Prishtinës. Zvarritje ka edhe në pjesë të tjera të Prishtinës. Zvarritja e punimeve po bëhet me qëllim që qeverisja e tashme e Kuvendit Komunal të Prishtinës, e udhëhequr nga kryetari Shpend Ahmeti, që vjen nga Lëvizja “Vetëvendosje!” punën ta kryejnë vitin e ardhshëm, kur edhe do të mbahen zgjedhjet e reja lokale, ku siç ndodh rëndom priten shiritat. Kështu ka vlerësuar shefi i Grupit parlamentar nga radhët e PDK-së, Lirak Çelaj. Por, sipas tij, kompanitë fituese të tenderëve  mund të jenë edhe kompani të afërta me LVV. “Mendoj se rasti i platosë së ‘Kurrizit’, sipas të gjitha gjasave, është e afërt me VV-në dhe për këtë shkak edhe janë zvarritur punët kaq shumë , ose nuk është e aftë t’i kryejë punimet”. Për me tepër, ai është shprehur se jo vetëm kjo kompani, por edhe kompanitë e tjera, të cilat janë të kontraktura nga drejtori i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, është folur për disa raste që ai ka punuar në kompani dhe tash ato i ka shpërblyer me tenderë. Çelaj është shprehur se në Asamblenë komunale, grupi i PDK-së e ka ngritur zërin për disa herë për këto parregullsi. “Por, jo vetëm në seanca, por edhe në deklarata publike e kemi ngritur zërin, por natyrisht  që deri më tani nuk është ndërmarrë asgjë”, ka thënë Çelaj. Ndërkohë, Çelaj ka njoftuar gjithashtu se për parregullsitë e qeverisjes Ahmeti, i janë drejtuar edhe Antikorrupsionit, por që as nga ky institucion ende nuk kanë marrë përgjigjeje, shkruan sot gazeta Kosova Sot.

Kamberaj: Është punuar pa kurrfarë kriteri profesional

Safet Kamberaj, kryetar i lagjes “Dardania”, ka thënë se, përveçqë janë stërzgjatur punimet e këtij projekti, ato si duket nuk do të përfundojnë edhe një vit.” Në gjithë sezonin veror në këtë plato kanë punuar një numër i vogël punëtorësh, çka do të thotë se të gjitha bizneset e kësaj platoje kanë dështuar. Premtimet  nuk janë realizuar. Punimet që janë kryer dhe janë duke u kryer pothuajse më shumë janë kozmetike dhe estetike sesa cilësore”, ka vlerësuar Kamberaj, duke shtuar se i gjithë izolimi i vjetër dhe hidroizolimet dhe nivelimet, nëse krahasohen me të vjetrën, janë shqetësuese.”Pse e them këtë? Nëse vlerësohet se sa kohë kanë zgjatur punimet e platosë, aq jetë të gjatë do të ketë ky projekt me cilësi në punime. Më shumë rëndësi u  është dhënë këndeve të gjelbërimit dhe hapësirave që mund të jenë pengesë për të bërë biznes. I papërballueshëm do të jetë izolimi i gjelbërimit mbi këto lokale”, është shprehur ai. Kamberaj ka thënë se është punuar pa kurrfarë kriteri profesional. Ai ka thënë se nga stërzgjatja e këtyre punimeve janë shënuar edhe raste të lëndimeve trupore. “Mbi 20 të lënduar i kemi në këtë plato. Janë vënë në rrezik të gjithë banorët e kësaj ndërtese nga pluhuri dhe elementet e tjera që ndikojnë në shëndet etj. Kjo stërzgjatje e punëve, qytetarët i kanë bërë të jenë të çrregulluar në çdo aspekt. Mungon siguria në këtë errësirë, dhe nuk ka reflektor ndriçimi. Është dashur të bëhet izolimi të paktën i dy kateve me ndonjë pengesë mbrojtëse nga pluhuri, ku janë fundosur të gjitha banesat në këtë pluhur”, shton Kamberi. Për më shumë, ai ka pohuar se rruga mbi plato lidhet edhe me rrugën” Idriz Gjilani”, e cila nga kjo qeverisje asnjëherë  nuk është pastruar, dhe ka mbetur në mëshirën e kushteve klimatike të reshjeve.”Kjo mirëmbajtje e kësaj rruge dhe disa rrugëve të tjera përreth ‘Kurrizit’ paraqesin rrezik të madh nga ndonjë epidemi, ku kemi lëvizje nxënësish dhe qytetarësh pranë kësaj rruge”, nënvizoi Kamberi. Ai shprehet se bizneset e qytetarët kërkojnë llogaridhënie nga Komuna e Prishtinës dhe kompania punëkryese e punimeve “Rexha”. 

Image

 

Gashi shqetësohet për pasigurinë e fëmijëve

Një përvojë të keqe qershorin e këtij viti  e ka pasur edhe babi i dy binjakëve Baki Gashi, i cili është shprehur se djali i tij Aresi, katërvjeçar, ka rënë nga platoja për më shumë se dy metra dhe ka pësuar lëndime në kokë. Ai thotë se, përveçqë djali i është dashur t’i nënshtrohet kontrollove mjekësore, ai edhe sot vazhdon t’i bartë pasojat. “Para rastit të djalit tim nuk ka pasur rrethoja që do të kishte pasur mundësi të mbroheshin fëmijët, por edhe qytetarët e tjerë. Njëri nga djemtë e mi Aresi, ka rënë për më shumë se dy metra nga platoja dhe ka pësuar lëndime në kokë”, u shpreh ai. Shton se djali po i vuan pasojat e frikës dhe ankthit. Për të gjitha këto thotë se është e njoftuar edhe policia, por që deri më tani nuk është dhënë një përgjigje për masa ndëshkuese. Ai ka pohuar se edhe tani ka hapësira të rrezikshme ku mund të rrezikohet jeta e fëmijëve. Në anën tjetër, pronari i kafenesë “Veranda” , ka shpjeguar se, përveçqë punon me humbje, çdo ditë shqetësohet për pasigurinë e fëmijëve.

Image

 

Ndërsa, Ilir Demaj i kafenesë  “Një kafe e re”, është ankuar gjithashtu për humbje në biznes.”Po çdo ditë e më shumë po shënojmë humbje. Vërtet është për keqardhje. Përveç këtij problemi, po ka pluhur dhe çdo ditë po duhet të pastrojmë. Bëj thirrje që sa më parë të kryhet kjo punë. Të punojnë më shumë punëtorë dhe mos të punohet me dy- tre punëtorë”.

Image

 

Kurse, Shqipe Berisha, që ka librarinë “Patris” mbi plato, ka pohuar se zvarritja t’i ketë shkaktuar dëme në biznes. “Unë, tri ditë më është dashur ta mbyll lokalin dhe e gjithë kjo për shkak se të njëjtës punë apo pjesë i kthehen punëtorët ta punojnë disa herë. Një ditë hapin punime, ditën tjetër diçka tjetër dhe e gjithë kjo po na shkakton humbje “, u shpreh ajo, duke shtuar se po dëmtohet në biznes. Ndërkohë, edhe pse tani ka rrethoja që janë vendosur në plato, pas lëndimit të fëmijës në qershor, sipas Berishës, nuk është bërë zgjidhje. “Vetëm sa është mundësuar që fëmijët të ngjiten edhe më lart dhe të pësojnë nga ato”, u shpreh ajo, duke kërkuar nga kompania fituese e tenderit që të përfundojë punimet e stërzgjatura. Ndryshe, edhe gjatë ditës së mërkurë, gazeta “Kosova Sot” ka kërkuar përgjigje nga Komuna e Prishtinës, përgjegjësit e kompanisë “Rexha”, monitoruesit e Komunës, në këtë rast INPO, por asnjëra nuk ka kthyer përgjigje e as që është lajmëruar në telefon.

(Kosova Sot)